OKB miraton rezolutën kundër ndërtimeve, Izraeli shpërthen ndaj SHBA-ve

23/12/2016 00:00

Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi një rezolutë me 14 vota pro dhe një abstenim, përmes së cilës i bën thirrje Izraelit të ndalë ngritjen e blloqeve të banimit në tokën e pushtuar palestineze, gjë që kaloi falë abstenimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që si kurrë më parë nuk përdori veton e një anëtari të përhershëm në mbrojtje të një prej aleatëve më të mëdhenj në Lindjen e Mesme e më gjerë.

Izraeli reagoi në mënyrë tepër të irrituar pas përpjekjes së rinovuar për të çuar në votim rezolutën, që ndëshkon ndërtimin e blloqeve të banimit në tokën e pushtuar të Bregut Perëndimor, pikërisht përpara Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Një zyrtar i lartë izraelit akuzoi Shtetet e Bashkuara për atë që quajti si “lëvizje të turpshme”, pasi mësoi se Shtëpia e Bardhë nuk do të vendoste veton ndaj projektrezolutës.

Rezoluta e hartuar nga egjiptianët ishte tërhequr më herët, pasi Izraeli i kërkoi Donald Trumpit të ndërhynte. Megjithatë, 4 shtete të tjera ndërhynë më vonë duke bërë të mundur votimin për rezolutën gjatë mbrëmjes së kësaj të premteje.

Çështja e banesave hebreje është një prej më të diskutueshmet mes Izraelit dhe palestinezëve, të cilët e shihnin atë si një pengesë për arritjen e paqes. Rreth 500 mijë hebrenj jetojnë në rreth 140 blloqe banimi të ndërtuar që prej pushtimit nga Izraeli të Bregut Perëndimor dhe Jeruzalemit Lindore në vitin 1967. Banesat janë konsideruar si të jashtëligjshme bazuar mbi ligjet ndërkombëtare, edhe pse Izraeli e hedh poshtë këtë gjë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit mund të vendosin veton ndaj rezolutave të ndryshme, tradicionalisht e ka mbrojtur Izraelin përballë rezolutave ndëshkuese duke vendosur veton. Por administrata në largim e presidentit Obama e ka bërë të qartë prej kohësh se është kundër ndërtimit të blloqeve të banimit në tokat e pushtuara nga Izraeli, duke shtuar prej kohësh spekulimet se në muajin e fundit të saj në krye të Shtëpisë së Bardhë do të lejonte miratimin në OKB të rezolutës kundër ndërtimeve.

Një zyrtar i lartë izraelit, i cituar nga agjencia e lajmeve “Associated Press”, tha se “Presidenti Obama dhe Sekretari i Shtetit, John Kerry, fshihen pas kësaj lëvizjeje të turpshme kundër Izraelit në OKB”.

“Administrata amerikane ka gatuar fshehurazi me palestinezët një rezolutë ekstreme kundër Izraelit, pas shpinës së Izraelit, që do të ishte një nxitje për terrorin dhe bojkotet, e do ta bënte Murin Perëndimor në Jeruzalem efektivisht një territor të pushtuar palestinez. Presidenti Obama duhej të deklaronte dëshirën e tij për të vendosur veton ndaj kësaj rezolute, por ndërkohë ai po nxit miratimin e saj”.

Zyrtari, i cili nuk preferoi të identifikohej, shtoi se “kjo është një braktisje e Izraelit, duke shkelur kështu politikën disa dekadëshe të Amerikës në mbrojtje të Izraelit në OKB, si dhe minon perspektivën e punës me administratën e ardhshme dhe avancimin e paqes”.

Malajzia, Senegali, Zelanda e Re dhe Venezuela, të cilat ishin edhe bashkësponsorizuese të rezolutës, priteshin ta votonin draftin. Izraeli pati kontakte të menjëhershme me ekipin e presidentit të zgjedhur Trump më herët gjatë ditës së sotme, pasi mësoi se SHBA-të do të abstenonin në votim.

Zyra e presidentit egjiptian, Abdul Fattah al-Sisi, njoftoi më herët se ai e kishte diskutuar çështjen në telefon me Trumpin, por nuk dha asnjë detaj mbi bisedën. Analistët thonë se presidenti al-Sisi synon të ketë marrëdhënie të mira me presidentin në ardhje të Shteteve të Bashkuara. Ambasadori i Francës në OKB, Francois Delattre tha se “objektivi kryesor” i rezolutës është “të ruhet dhe të riafirmohet zgjidhja dyshtetërore e çështjes së Lindjes së Mesme”. “Teksti që kemi ne nuk fokusohet ekskluzivisht në çështjen e ndërtimeve”, tha ai për reporterët. “Ai dënon gjithashtu dhunën dhe terrorizmin, si dhe bën thirrje për të ndaluar nxitjet për dhunë nga ana e palestinezëve, kështu që është një tekst i balancuar”.

Të enjten, Trump kishte nxitur Këshillin e Sigurimit që ta hidhte poshtë këtë mocion. “Paqja mes izraelitëve dhe palestinezëve do të vijë vetëm përmes negociatave të drejtpërdrejta mes palëve, e jo mes imponimit të kushteve nga Kombet e Bashkuara”, tha ai në një deklaratë. “Kjo gjë e vendos Izraelin në një pozicion tepër të dobët negociues dhe është ekstremisht i padrejtë për të gjithë izraelitët”. Megjithatë, Trump e merr presidencën më 20 janar.

Top Channel