Dështimi në zgjedhjet amerikane, Biden: Hillary garoi pa motiv

23/12/2016 00:00

Hillary Clinton u ndie e detyruar që të garonte për Presidencën, pavarësisht se nuk kishte një vizion të qartë fushate.

Kështu mendon zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, i cili bëhet zëri më i fundit nga administrata “Obama”, që përpiqet të shpjegojë pse demokratët u shfaqën aq dobët në zgjedhje.

Në një intervistë për gazetën “Los Angeles Times”, Biden tha se Clinton nuk arriti të gjente një vizion për fushatën e saj, ndërsa tha se për të ishte shumë e vështirë të vendoste që të garonte.

“Ajo mendoi se nuk kishte zgjedhje tjetër veçse të garonte. Natyra historike e kandidaturës së saj, pra fakti që ishte gruaja e parë me një mundësi të vërtetë për Shtëpinë e Bardhë, ndikoi te vendimmarrja e saj dhe besoj se ishte një barrë e rëndë për të”, deklaroi Biden.

Zëvendëspresidenti u bëri gjithashtu jehonë fjalëve të shefit të tij Barack Obama, i cili më herët deklaroi se Partia Demokratike nuk i kushtoi vëmendjen e duhur votuesve të klasës punëtore, jashtë qendrave urbane.

Top Channel