Llullaku: Zgjodha Astanën për Champions-in

23/12/2016 00:00

Pas një gjysmë zezoni të shkëlqyer me Gaz Metanin në Rumani, Azdren Llullaku tërhoqi vëmendjen e shumë skuadrave në Europë me 16 golat e shënuar, por në fund vendosi të transferohet te kampionët e Kazakistanit, te skuadra e Astanës.

Teksa është pranë familjes së tij në Itali, Llullaku ka folur për “Supersport” duke komentuar zgjedhjen e bërë.

“Sinqerisht jam shumë i kënaqur edhe për zgjedhjen që bëra. E vendosa këtë klub së bashku me familjen. Kishte edhe opsione të tjera, por në fund zgjodhëm këtë sepse luan në Champions dhe Europa League. Jam shumë i lumtur që u finalizuara transferimi im te Astana. Kanë qenë disa skuadra në Turqi që shfaqën interes të madh. Ishin edhe Legia e Varshavës dhe Lech Poznan. Por, në fund zgjodha Astanën. Aty ishte edhe menaxheri Shkumbin Qorrmemeti dhe kjo ishte një kënaqësi edhe më e madhe për mua. Ai më ndihmoi dhe jam shumë i kënaqur”, shprehet sulmueis i kombëtares kuqezi.

Transferimi te Astana është hapi më i rëndësishëm në karrierën e Llullakut, jo vetëm për nivelin e skuadrës, por edhe sepse nga kontrata 2-vjeçare, kuqeziu do të përfitojë një milion euro.

“Sinqerisht këto vite që kam luajtur në Rumani, niveli ekonomik nuk ishte shumë i lart. Prej kontratës nuk kisha mundësi të ndryshoja ekip, edhe pse e kisha shansin të fitoja disa para më tepër. Në moshën 29-vjeçare duhet të shohësh edhe pak anën ekonomike. Shpresoj që vazhdoj të shënoj me po kaq vazhdimësi, pasi kjo është e rëndësishme. Objektivi im është të qëndroj me këmbë në tokë dhe të vazhdoj edhe më mirë. Shpresoj ta ndihmoj ekipin me lojë dhe me gola”, thotë Llullaku.

Me transferimin te Astana, Azdren Llullaku ka mundësi të realizojë edhe një ëndërr, jo vetëm të tijën, por të çdo futbollisti.

“Ëndrra ime, ashtu si e të gjithë lojtarëve, ka qenë të luaj në aktivitetet më të rëndësishme. Astana ka fituar kampionatin dhe ka shansin të marrë pjesë në Champions. Për këtë do të punoj shumë, për të luajtur titullar dhe të aktivizohem në kupat e Europës”, përfundon lojtari.

Top Channel