Greqi, kapen 4 shqiptarë me 37 kg kanabis në Kostur

23/12/2016 00:00

Një sasi prej 37 kilogramë kanabis sativa u sekuestrua të premten në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, në afërsi të Kosturit.

Sipas policisë greke, agjentët e Antidrogës së Kosturit pikasën në një zonë pyjore pranë kufirit, dy shtetas shqiptarë 30 dhe 60 vjeç, që po kalonin ilegalisht kufirin duke mbajtur dy çanta të mëdha.

Pak minuta më vonë, në zonë mbërritën edhe dy shtetas shqiptarë të tjerë, 34 dhe 42 vjeç, në bordin e një automjeti ku edhe ngarkuan çantat.

Pak kilometra më tutje, policia tentoi të ndalonte automjetin e të dyshuarve, por drejtuesi i saj shtoi shpejtësinë dhe refuzoi të ndalonte.

Pas disa kilometrash ndjekjeje, policia mundi të ndalojë 4 të dyshuarit dhe të sekuestrojë drogën. Katër shqiptarët akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike dhe kalim të paligjshëm të kufirit.

Ata u dërguan në Gjykatën e Kosturit, e cila vendosi t’i lërë në burg pa afat. Automjeti i trafikantëve u sekuestrua.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel