Ish-diplomati britanik në Siri: Gabuam rëndë me luftën civile atje

23/12/2016 00:00

Politika britanike ndaj Sirisë ka qenë e gabuar në çdo hap. Kështu deklaroi ish-ambasadori britanik në Siri, Peter Ford, i cili shtoi se Mbretëria e Bashkuar përkeqësoi situatën, duke mos dërguar trupa në terren, por duke nxitur grupet rebele të nisnin një fushatë të dështuar.

Sipas ish-ambasadorit, kjo solli mijëra viktima civile, diçka që duhej të ishte parashikuar. Peter Ford, i cili shërbeu si ambasador i Britanisë në Damask nga viti 2003 deri në vitin 2006, tha se Londra duhej të kishte dërguar ushtarë në terren, ose të mos kishte nxitur fushatën luftarake të opozitës.

“Ne e përkeqësuam situatën. Ministria e Jashtme britanike, tek e cila unë dikur bëja pjesë, gaboi në çdo hap përsa i takon Sirisë”, deklaroi Ford, duke kritikuar Ministrinë e Jashtme britanike, që në fillim të konfliktit në Siri tha se Assad nuk e kishte të gjatë.

Të enjten, ushtria siriane mori kontrollin e Aleppos pas një betejë të ashpër, duke shënuar një distafë të rëndë për grupet rebele. Në këtë kuadër, Peter Ford tha se tani diplomatët britanikë po gënjejnë sërish, duke thënë se Assad nuk mund të kontrollojë të gjithë vendin, ndërsa është e qartë se është në rrugën e mbarë për të bërë pikërisht këtë.

Sipas tij, bombardimi i Aleppos u kritikua ashpër nga Perëndimi dhe Britania, ndërsa bombardimi i Mosulit në Irak, ku situata është po e njëjtë, nuk ka marrë të njëjtin trajtim. Sipas tij, bota do të jetë me fat, nëse edhe nga Mosuli civilët do të mund të largohen më autobusë, siç ndodhi në Aleppo.

Top Channel