Gripi mbush pediatrinë, mjekët: Mbingarkesë, shkoni te mjeku i lagjes

23/12/2016 00:00

Virozat e ndryshme që qarkullojnë por edhe virusi i gripit kanë bërë që urgjenca dhe shërbimi i peditarisë në QSUT të tejmbushet me pacientë të vegjël që kërkojnë ndihmë mjekësore.

“Mbi 400 në 24 orë është numri i fëmijëve që paraqiten. Natyrisht është një fluks shumë i madh, gati i papërballueshëm për infrastrukturën që ofron urgjenca e pediatrisë, sepse është urgjencë që është konceptuar si urgjencë spitali dhe jo poliambulancë”, thotë Prof. Dr. Numila Kuneshka, shefe e shërbimit të pediatrisë së përgjithshme .

Mjekja pediatre u kërkon prindërve që të mos drejtohen menjëherë në urgjencën e pediatrisë pasi me këtë mbingarkesë as mjekët nuk janë në gjendje t’i trajtojnë siç duhet.

“Një fluks mbi 400 fëmijë do të thotë që një fëmijë të presë disa orë në radhë derisa t’i vijë ora e vizitës. Dhe ju e kuptoni që për një mjek është shumë e lodhshme të bëjë dhjetra vizita brenda turnit të tij. po ashtu dhe dhënia e ndihmës, qoftë serume, inhalacione etj., gjë që shumë mirë mund ti marrin në qendrat shëndetësore”, thotë Kuneshka.

Nga ana tjetër mjekët këshillojnë prindërit që të përdorin sa më shumë lëngje për fëmijët dhe simptomat e para mund t’i trajtojnë edhe vetë duke përdour shurupe për uljen e temperaturës.

“Nëse e shikon që kjo temperaturë po zgjat, po kalon 1-2 ditë mund ti drejtohet mjekut të lagjes për të parë nëse kjo është një virozë me rrufë e kollë, diku me bark e të vjella, apo ka një vatër që e vlen të trajtohet dhe me antibiotik”, këshillon doktoresha.

Virusi i gripit që qarkullon këtë vit sipas specialistëve të ISHP është AH3N2 ndërkohë që ka dhe shumë viroza. Përdorimi i antibiotikut duhet bërë vetëm kur mjeku pediatër e vlerëson të nevojshëm theksojnë specialistët .

Top Channel