Superviti i Putinit

23/12/2016 00:00

2016-ta për shumë ekspertë ka qenë një supervit për Vladimir Putinin. Po të mos ishte për vrasjen e ambasadorit rus në Ankara, ai do të ishte dhe një vit fare pa tronditje për rusët.

Suksesin më të madh, shefi i Kremlinit e regjistron në politikën e jashtme. Ndërhyrja në Siri e riktheu Moskën në një lojtare të nivelit më të lartë ndërkombëtar. Ajo rezultoi vendimtare për kthesën e situatës në vend, ku ndihma ushtarake ruse rezultoi jetike për Bashar al Assadin, i cili vetë nuk do ta fitonte dot luftën.

Fitore, sipas DW, mund të konsiderohet edhe mbyllja e shpejtë e konfliktit me Turqinë, që nisi nëntorin e 2015-s pas rrëzimit të një bombarduesi rus prej forcave të aviacionit turk. Presioni i Putinit e detyroi kokëfortin Erdogan të kërkonte falje me shkrim në muajin qershor e tani dy vendet janë sërish partnere e po koordinojnë veprimet në Siri.

Ky afrim është pozitiv edhe për projektin e ndërtimit të gazsjellësit të Detit të Zi, i cili ka peshë të madhe për Mosken. Me rëndësi për politikën e jashtme të Moskës këtë vit shihen edhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe fitorja e kandidatit republikan Donald Trump. Edhe pse i mohon akuzat e hakërimit në fushatën zgjedhore, triumfi i Trumpit bën pjesë në kategorinë e atyre ngjarjeve, në të cilat roli i Moskës dhe sidomos ndikimi i saj në rezultatin përfundimtar nuk është dëshmuar përfundimisht.

Top Channel