Rama rikthen nanoistët: Në 2017-n në koalicion me LSI-në

23/12/2016 10:40

Kryeminsitri Edi Rama artikuloi zyrtarisht ftesën drejtuar Lëvizjes Socialiste për Integrim për të qenë sërish  në koalicion në zgjedhjet e vitit 2017.

Për Ramën ky është një koalicion strategjik. “Qëllimi ynë strategjik, kjo nuk është çështje dëshirash, qëllimi ynë strategjik është të jemi bashkë në koalicion me LSI-në”, tha Rama.

Rama ka përmendur edhe ankesat nga brenda partisë së tij për këtë aleance me LSI.

“Shumëkush thotë ata bëjnë kështu, ata bëjnë ashtu, ata na morën në qafë, ata na nxorrën bojën, ata nxorrën kallajin, ata na nxorrën suvanë! Dëgjoni miqtë e mi! Kjo është strategjike! Kjo nuk ka lidhje me sjelljet e caktuara të njerëzve të tyre apo njerëzve tanë. Duhët ta shohim këtë në planin strategjik. Çfarë ka fituar Shqipëria nga ky kolacion?”, deklaroi Kryeministri.

Rama interpretoi artikulimin publik të PS për rinovimin e koalicionit dhe u deklarua i bindur se kjo do të ndodhë.

“Normalisht, i madhi i bie të thotë çfarëdo, të voglit i takon të mendohet. Por unë jam besimplotë që ne do të shkojmë së bashku. Nuk diskutohet që nëse nuk jemi më të mirët, më të mirë nuk shohim gjëkundi”, tha ai.

Po në këtë mbledhje Edi Rama riktheu në Asamblenë Kombëtare disa nga ish-pjesëtarët e gardës së vjetër, ish-ministra të Fatos Nanos, të cilët ishin lënë jashtë strukturave të partisë këto vitet e fundit.

Mes të emëruarve që i shtohen Asamblesë janë ish-ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga, ish-ministri i Arsimit Et’hem Ruka dhe ish-ministri i Transporteve Ilir Zela.

Po ashtu rikthehet edhe ish-deputeti Bukurosh Stafa, edhe ky një mbështetës i Nanos, që u përjashtua nga grupi parlamentar socialist në vitin 2006 pasi votoi me disa kolegë Bamir Topin si president.

Po ashtu u emërua ish-deputeti i Vlorës Mezan Malaj dhe ish-kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Bime. Por me këto rikthime, pati edhe nje ikje.

Top Channel