Thaçi pret Alfanon: BE ta shohë Ballkanin si interes strategjik

22/12/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur këtë të premte në një takim ministrin e ri për Punëve të Jashtme të Italisë, Angelino Alfano. Thaçi e falënderoi ministrin Alfano për vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë dhe për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë italiane.

Presidenti theksoi se Kosova ka arritur suksese të mëdha në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetësisë së vet, duke përmendur hyrjen në fuqi të MSA-së, si konfirmimin më të mirë të këtyre sukseseve. “Tani po punojmë për të ardhmen tonë në NATO dhe BE”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano, duke iu referuar procesit të integrimit europian të Kosovës, theksoi se paqja mund të arrihet vetëm përmes vlerave europiane. “Ju po zhvilloni një proces të përfarimit me Bashkimin Europian në momentet më të vështira të tij”, u shpreh Angelino Alfano.

Presidenti Thaçi theksoi se Brukseli duhet t’i shikojë shtetet e Ballkanit si interes strategjik, e jo si procese teknike për integrim. “Ne ndajmë vlerat europiane dhe jemi europianë, mirëpo Brukseli po vonohet me ne, sikurse po ndodh me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, tha Thaçi.

Sipas tij, Bashkimit Europian mund t’i kërkosh çdo gjë, por jo edhe shpejtësinë, sidomos tani kur është më së shumti e nevojshme, për shkak se antieuropianizmi, ekstremizmi dhe radikalizmi po rriten me hapa shumë më të shpejtë.

Ne kemi konsensus politik dhe popullor kundër çdo ekstremizmi dhe radikalizmi, por edhe për përqafimin e vlerave euroatlantike”, u shpreh presidenti Thaçi.

Top Channel