Mitrovicë, gjykata jep vendimin për policët e akuzuar për ryshfet

22/12/2016 00:00

Gjykata Themelore e Mitrovicës, në Vushtrri, ka marrë një vendim për 35 policët e arrestuar 3 ditë më parë. Për 15 policë është caktuar arresti shtëpiak, ndërkohë që për 20 të tjerë paraburgim me 30 ditë. Shumica e atyre në paraburgim janë policë serbë. Të arrestuarit janë policë të trafikut, të cilët dyshohen për marrje ryshfeti.

Ndërkohë, siç raporton “kallxo.com”, policët e trafikut të arrestuar gjatë aksionit të IPK-së, nuk zgjidhnin se në cilën valutë i merrnin të hollat, por në kërkesën për paraburgim të prokurores Zejnie Kela, ku përshkruhen veprimet e policëve, thuhet se ata pranonin ryshfet në euro apo dinarë serbë.

“Policët kanë pranuar kartëmonedha prej 5, 10, 20 e 50 euro, si dhe kartëmonedha në shumën prej 100, 200, 500 e 1.000 dinarë serbë, duke përfituar të ardhura për vete dhe për të tjerë”, thuhet në kërkesën e prokurores Kela.

Policët e Trafikut të Mitrovicës, nga të dy rajonet në jug dhe në veri, ata të kontrollit të Autostradave dhe njësitit të Trafikut të Prizrenit, nga data 21 shtator 2016 deri më 12 dhjetor 2016 kishin qenë të kontrolluar në masa të fshehta, nga video dhe audioregjistrime që u vendosën në veturat e Policisë.

Inspektorati Policor i Kosovës, së bashku më prokuroritë përgjegjëse kishin përdorur këto masa nën dyshimin se oficerët e trafikut mund të jenë përfshirë në marrje ryshfeti.

Nga 16 faqet e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë ndaj 35 policëve në rajonin e Mitrovicës dhe 24 të tjerëve nga Prizreni, 7 faqe janë me të dhëna për videot dhe audioregjistrimet që janë bërë në automjetet e Policisë.

“Policët kanë pranuar të holla nga kundërvajtësit në trafik, në mënyrë që atyre të mos u shqiptohen tiketat edhe pse ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës e kanë me detyrim t’u shqiptojnë tiketa”, theksohet në kërkesën e Prokurorisë.

Më 19 dhjetor, 59 zyrtarë policorë ishin ftuar për t’u marrë në pyetje në IPK dhe nga aty, zyrtarët policorë dolën të prangosur dhe me urdhër të prokurorit ata u dërguan në qendrat e paraburgimit.

Nga 59 zyrtarë policorë të ndaluar, 20 prej tyre ishin të Njësisë për kontrollin e Autostradave, 20 nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Mitrovicës së Veriut, 15 nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Mitrovicës së Jugut, dhe 4  zyrtarë nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Prizrenit.

Top Channel