Kosovë, opozita do të bojkotojë fjalimin e presidentit Thaçi

22/12/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë seancës së të premtes do t’u drejtohet deputetëve me fjalimin e fundvitit. Mirëpo siç duket, këtë do ta bëjë vetëm para deputetëve të mazhorancës, pasi deputetët e opozitës nuk do të marrin pjesë.

Mungesën e kanë konfirmuar për “Telegrafin” zyrtarë të tri partive opozitare.

Shkodran Hoti, nga zyra për mediet e Lëvizjes Vetëvendosje, ka njoftuar se grupi i tij parlamentar nuk do të jetë i pranishëm. “Nuk do të marrim pjesë në seancën e nesërme”, ka thënë Hoti.

Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se nuk do të jenë pjesë e seancës së të premtes për të dëgjuar fjalimin e presidentit Hashim Thaçi.

“Ne, si grup parlamentar i AAK-së, nuk marrim pjesë në seancën e nesërme, ku do të mbajë fjalim Thaçi”, ka thënë Lekaj.

Sekretari i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, gjithashtu ka bërë të ditur se deputetët e Nismës nuk do të jenë nesër në Kuvend, në kohën kur do të flasë Thaçi.

“Jo, nuk do të marrim pjesë, sepse ky president nuk është unifikues i popullit. Ne nuk kemi se çfarë të dëgjojmë nga fjalimi i tij”, ka thënë Sherifi.

Adresimi i presidentit të vendit para deputetëve është detyrim kushtetues, e gjatë tij kreu i shtetit raporton për punën njëvjeçare. Seanca e veçantë, ku presidenti Thaçi do të mbajë fjalimin e fundvitit para deputetëve, do të fillojë në orën 11:00.

Top Channel