Mediet e huaja: Shqipëria i hap rrugën vettingut. Kyç për negociatat me BE-në

22/12/2016 00:00

Gjykata Kushtetuese, më e larta e Shqipërisë, ka lënë në fuqi ligjin e “vetting”-ut gjatë kësaj të enjteje, që do të verifikojë gjykatësit dhe prokurorët për raste të mundshme korrupsioni, duke i hapur kështu rrugën zbatimit të ligjit, të cilin Bashkimi Europian e kërkon si kusht përpara nisjes së bisedimeve për anëtarësim me Tiranën zyrtare.

Lajmi më i rëndësishëm i ditës së sotme është pasqyruar edhe në mediet ndërkombëtare, përfshi “Reuters”-in, të cilit i janë referuar më pas edhe agjenci të tjera si “Associated Press”, “Daily Mail” apo “Yahoo Neës”.

Qeveria dhe opozita kishin kaluar unanimisht ligjin në Parlament përpara nisjes së pushimeve verore, pas thuajse 18 muajsh mosmarrëveshjesh, por opozita e sfidoi ligjin e ri me justifikimin se ai do të ndihmonte qeverinë të kontrollonte sistemin e drejtësisë, në vend që ta bënte sistemin të pavarur.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, ndihmuan në hartimin e draftit të Reformës në Drejtësi, një sistem që sipas një sondazhi, 91 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë si të korruptuar.

Bashkimi Europian e ka bërë të qartë se Drejtësia në ish-shtetet komuniste të Ballkanit duhet të jetë tërësisht e pavarur, e aftë për të luftuar korrupsionin endemik dhe krimin e organizuar, dhe gjithashtu t’i japë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve.

Gjykata Kushtetuese, e cila kërkoi edhe një opinion të trupës më të lartë këshilluese të Këshillit të Europës mbi çështjet kushtetuese, siç është Komisioni i Venecias, nuk ofroi asnjë shpjegim në shpalljen e vendimit për refuzimin e apelimit të opozitës.

“Reuters” i bën jehonë edhe mesazhit të kryeministrit Edi Rama në rrjetin social, kur shkroi se “Ata e vonuan, por nuk mundën ta ndalonin atë”, duke iu referuar këtu sfidës që i bëri opozita këtij ligji të rëndësishëm. “Tashmë ka ardhur koha të shohim zbatimin e këtij ligji”, mbyllte kryeministri Rama.

Ligji i “vetting”-ut, i cili kërkon ende që Parlamenti të ngrejë trupat drejtuese të sistemit të Drejtësisë në mënyrë që të bëhet funksional, do të shqyrtojë pasuritë dhe sfondin e gjykatësve dhe prokurorëve për të përjashtuar nga sistemi të korruptuarit.

Nëse “vetting”-u do të arrijë të prodhojë rezultate vitin e ardhshëm, Komisioni Europian, në çdo moment që do të sinjalizohet zbatimi i tij te vendet anëtare të BE-së, do t’u këshillojë atyre hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, që qershorin e ardhshëm përballet gjithashtu edhe me zgjedhjet parlamentare.

Top Channel