Nju Jork, zbritet pasagjeri nga avioni. U konfrontua verbalisht me Ivanka Trump

22/12/2016 00:00

Një pasagjer është zbritur nga një avion i kompanisë “JetBlue Airways Corp”, që do të nisej për fluturim nga Aeroporti ndërkombëtar “John F. Kennedy” i Nju Jorkut gjatë së enjtes, pasi ka debatuar verbalisht me Ivanka Trump.

Lajmi raportohet nga faqja e internetit “TMZ”, sipas së cilës personeli i linjës ajrore e shoqëroi pasagjerin deri në zbritje pas fyerjes ndaj vajzës së presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Ivanka Trump do të nisej për në Hauai për pushime së bashku me familjen e saj, thekson një raport i “ABC News” për incidentin.

Ndërkohë, sipas faqes që e publikoi fillimisht këtë lajm, pasagjeri i ka thënë Ivanka Trumpit se “babai i saj po e shkatërronte vendin” e duke vijuar më tej me pyetjen se “pse ajo ishte në të njëjtin fluturim me pasagjerët e tjerë, pasi duhej të fluturonte me avion privat”.

Lajmi i “TMZ”-së u shoqërua me një foto të një gruaje në avion, që i ngjante shumë Ivanka Trumpit.

Përmes postës elektronike, “JetBlue” konfirmoi se kishte zbritur një pasagjer nga avioni. “Vendimi për të larguar klientin nga ai fluturim nuk ka qenë i lehtë për t’u marrë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë ndaj incidentit. “Në këtë rast, ekipi ynë u sigurua që ta riakomodonte pasagjerin në fluturimin e radhës tonin”.

Ekipi i tranzicionit të presidentit Trump nuk i është përgjigjur pyetjeve mbi këtë incident. Donald Trump dhe familja e tij është duke kaluar pushimet e Krishtlindjes në resortin “Mar-a-Lago” në Palm Beach të Floridës.

Edhe “Reuters” nuk ka mundur ta identifikojë pasagjerin e zbritur, por një përdoruese e “Twitter”-it i cituar nga “TMZ” tha se bashkëshorti i saj kishte shkuar të përballej me ta në aeroport.

“Ivanka dhe Jared ishin në një fluturim në aeroportin ‘JFK’, – shkroi Matthew Lasner, e më pas e fshiu këtë koment. – Bashkëshorti im iu afrua atyre të dyve në përpjekje për t’i ngacmuar”.

Jared Kushner është bashkëshorti i Ivanka Trumpit. Deri më tani, as Lasner nuk është mundur të arrihet për një koment të mëtejshëm, ndërsa llogaria e saj është fshirë nga rrjeti social. Edhe Autoriteti Portual i Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, që menaxhon aeroportin “JFK”, nuk është përgjigjur ndaj interesimit.

Top Channel