Vetting-u, entuziazëm në rrjetet sociale: Hapni burgje të reja

22/12/2016 00:00

Rrjetet sociale kanë shpërthyer nga komentet menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pranimin e ligjit të Vetting-ut.

Lajmi për rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike në pak minuta u ndoq në faqen e Top Channel nga mbi 63 mijë persona që e kanë parë si lajm dhe rreth 600 që kanë reaguar me pëlqime apo shenja të tjera grafike.

Shumë të tjerë kanë preferuar të bëjnë edhe komente. “A kanë burgjet kapacitet të mbajnë kaq shumë hajdutë brenda?”, pyet një komentuese në lajmin e Top Channel në rrjetet sociale.

Të tjerë kërkojnë që të nxirren jashtë burgjeve hajdutët e vegjël dhe futjen atje të atyre që i quajnë “superhajdutë me pushtet”.

Me një shpjegim të thjeshtuar, ata në këtë mënyrë shpjegojnë edhe amnistinë që do nxjerrë nga qelitë qindra të burgosur.

Komentuesit thonë se, “gjykatësit dhe prokurorët do të zënë vendin e të burgosurve, sepse shumë pak do dalin të pastër pas zbatimit të ligjit”. Ata shpresojnë se pas kësaj do ketë arrestime të bujshme të niveleve të larta.

Top Channel