Meta: Vettingu, kyç për integrimin. Sa më parë zbatimi

22/12/2016 00:00

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të ligjit të Vettingut.

Sipas Metës, ky ligj është me shumë rëndësi për fazat e mëtejshme të integrimit europian të vendit, sidomos për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

“Me qëllim ecjen më shpejt të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian, si dhe për garantimin e zbatimit të reformës në drejtësi, kryetari i Kuvendit inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët në vend për të ushtruar të gjitha përgjegjësitë dhe kompetencat e tyre për zbatimin e këtij ligji”, thuhet në një komunikatë.

Sipas njoftimit, kryetari i Kuvendit përshëndet gjithashtu angazhimin dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe këtij ligji në veçanti.

“Kryetari i Kuvendit rithekson rëndësinë e zbatimit pa vonesë të këtij ligji, si një domosdoshmëri për reformimin e sistemit të drejtësisë, që do t’i përgjigjet cilësisht edhe nevojës që ka shoqëria shqiptare për një drejtësi funksionale dhe efiçente”, vijon njoftimi për shtyp.

Top Channel