Refugjatët në Greqi, agjencitë e ndihmave me akuza të ndërsjellta për shpërdorim fondesh

22/12/2016 00:00

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët dhe departamenti i ndihmave “Echo” i Bashkimit Europian janë akuzuar nga grupe të tjera ndihmash se kanë keqmenaxhuar fondin disa milionadollarësh i rezervuar për refugjatët më të rrezikuar në Europë, duke lënë me mijëra prej tyre të dremisin në mes të acarit në Greqi.

Qeveria greke, e cila ka edhe juridiksionin përfundimtar mbi aktivitetet nëpër kampe, është kritikuar gjithashtu se ka dështuar të përdorë rreth 90 milionë euro, pjesë e fondit të BE-së, për të përmirësuar në mënyrën e duhur të kushteve nëpër kampe përpara se të vinte dimri.

E duke qenë se asnjë aktor nuk ka kontrollin e plotë të vendimeve për financim dhe menaxhim të situatës nëpër kampe, kjo u lejon shumicës së palëve të distancojnë vetveten nga faji.

Departamenti i BE-së për ndihmat, i njohur si “Echo”, i ka dhënë UNHCR-së më shumë se 14 milionë euro që prej prillit, për të ndihmuar përgatitjet e rreth 50 kampeve të refugjatëve përpara dimrit në Greqi, aty ku përllogariten rreth 50 mijë refugjatë kryesisht sirianë, të bllokuar që prej miratimit të politikave të reja europiane të emigracionit në muajin mars. Ndërsa një shumë prej 24 milionë eurosh të tjera i janë dhënë UNHCR-së për projekte të tjera.

Të dyja organizatat akuzohen nga grupe të tjera se kanë shpërdoruar paratë, pasi kanë dështuar të përmirësojnë kushtet për dimër në kampe, apo të evakuojnë dhjetëra kampe përpara rënies së borës së parë në Greqi, në fillim të dhjetorit.

Përveç sigurimit të shtrateve të ngrohta dhe rrobave për dimër, UNHCR-ja pritej t’i përdorte këto fonde për të zhvendosur njerëzit nga tendat drejt konteinerëve më të ngrohtë apo streha të tjera; të ngrohnin magazinat ku refugjatë të tjerë po kalojnë këto ditë të ftohta; të ofronin një furnizim të vazhdueshëm me ujë të ngrohtë; si dhe të instalonin parkete të izoluara për cilindo që jeton ende nëpër tenda.

Disa muaj pas shpërndarjes së fondeve, thuajse gjysma e atyre që jetonin në kampe janë ende në pritje të transferimit nëpër streha zyrtare. Nga 45 kampet që ishin ende aktive në fillim të muajit, “the Guardian” ka vizituar ose është vënë në dijeni se, të paktën 15 kampe duhet ende të përshtaten me kohët e acarta në Greqinë veriore.

Top Channel