Familja e të dyshuarit të Berlinit i kërkon të dorëzohet në polici

22/12/2016 00:00

Vëllai i tunizianit, që po kërkohet si i dyshuari kryesor për sulmin në tregun e Krishtlindjes në Berlin, i ka bërë thirrje vëllait të tij të dorëzohet.

Familja e Anis Amri, duke folur nga vendlindja e tyre Oueslatia në Tunizi, tha se ishin të shokuar kur mësuan se djali i tyre ishte i dyshuar për sulmin e së hënës, në të cilin mbetën të vdekur 12 persona.

Vëllezërit Abdelkader dhe Walid thanë se Anis ishte larguar nga Tunizia pas revolucionit të vitit 2011 dhe jetoi në Itali për rreth 3 vite. Ai ka pasur kontakte të regullta me vëllezërit e tij në “Facebook” apo përmes telefonit.

Në një intervistë me “Sky News Arabia”, Abdelkader tha se Amri nuk u kishte folur atyre mbi jetën që kishte ndërtuar larg Tunizisë.

“Kur ai u largua nga Tunizia ishte një njeri normal. Ai pinte alkool dhe nuk lutej asnjëherë. Mund të them se nuk ka besuar kurrë në ndonjë fe. Babai, vëllai dhe unë kemi qenë dhe jemi besimtarë, por ai jo. Ndoshta është radikalizuar teksa ka qenë në burg, ku është takuar me algjerianë, egjiptianë dhe sirianë. Herën e fundit kam folur me të përpara 10 ditësh, patëm një bisedë të shkurtër. Kurrë nuk më jepte informacione të zgjeruara, por më përmendi se shumë shpejt do të kthehej në shtëpi. Ne kemi pritur shumë prej atij, donim që ai të bëhej një djalë i mbarë, të bëhej i zoti i vetes dhe më pas të ndihmonte edhe familjen tonë. Ai hyri në burg me tjetër mentalitet dhe doli prej andej me mentalitet të ndryshëm”.

Ndërkohë, duke folur për “Associated Press”, Abdelkader ka thënë se “nëse ai është fajtor, atëherë meriton çdolloj dënimi. Ne i refuzojmë terrorizmin dhe terroristët, nuk kemi të bëjmë me ata. Madje i kërkoj të dorëzohet në polici. Nëse provohet se ai ka gisht në atë ngjarje, atëherë ne do të distancohemi prej tij”.

Një fqinj i familjes tha se ai ishte larguar nga Tunizia në moshën 16 apo 17-vjeçare, pasi u akuzua për një vjedhje. Ai u dënua në mungesë me 5 vite burgim në Tunizi, përpara se të largohej për në Itali. Mediet nga vendi i Apenineve kanë thënë se Anis Amri ishte dënuar me burg për shkak se i kishte vënë zjarrin një shkolle.

Ai mbërriti në Gjermani në korrik të vitit 2015, por aplikimi i tij për azil u refuzua në qershor të këtij viti. Deportimi i tij, gjithsesi, u pengua nga Tunizia, që e kishte refuzuar atë të ishte një shtetas tunizian për disa muaj. Babai i Amri tha për radion tuniziane “Mosaique” se i biri i tij ishte larguar nga vendi 7 vite më parë si një emigrant i paligjshëm.

Top Channel