Gjermani, rihapet me barriera betoni tregu i Krishtlindjes në Berlin

22/12/2016 00:00

Tregu i Krishtlindjes në Berlin, i kthyer në skenën e tragjedisë që kushtoi 12 jetë njerëzish e solli shumë pranë gjermanëve hijen e terrorizmit, është rihapur për publikun, por policia këtë herë e ka rrethuar me barriera betoni për të parandaluar ndonjë sulm tjetër.

Anis Amri, personi që përplasi kamionin mbi turmën e njerëzve krejtësisht jo dyshues për atë që mund të ndodhte, më herët këtë vit ishte vënë nën mbikëqyrje nga forcat e sigurisë.

Tuniziani monitorohej për planifikimin e një vjedhjeje dhe paratë që do të siguronte në këtë mënyrë, besohet se do t’i përdorte për të blerë armë. Por pamjaftueshmëria e provave bëri që autoritetet ta lënë mënjanë rastin e tij.

Përpara se të hynte në Gjermani, 24-vjeçari kishte kaluar 4 vite në një burg të Palermos në Itali për zjarrvënie. Mëngjesin e sotëm, forcat e rendit kryen një operacion blic në qytetin perëndimor të Dortmundit, ku i riu raportohet të ketë ndaluar herë pas here. Dy apartamente u bastisën e 4 vetë përfunduan në pranga.

Banorët e njërit prej blloqeve të mësyra e kanë njohur Amrin nga fotot e shpërndara prej policisë, e thane se ai kishte qëndruar për pak kohë nën shoqërinë e një gjermani me origjinë serbe, i cili u ndalua muajin që shkoi nën dyshimin e mbështetjes së Shtetit Islamik.

Njëri nga refugjatët shqiptarë që jetonin aty pranë i tha BBC-së se nuk dinte shumë mbi Amrin, por kishte folur dhe me emigrantë të tjerë aty mbi këtë person dhe kontaktet e tij xhihadiste në zonë.

“Mbase ka pasur vërtetë, – thotë shqiptari. – Këtu gjendja është një tmerr”. Reporterit të BBC-së i ka tërhequr vëmendjen një “sëastika” e madhe në korridor, e vizatuar sipas refugjatëve nga vendasit, shenjë e qartë kjo e ndjenjave antiemigrantë atje.

Top Channel