Rriten shitjet. INSTAT: Pa karburantet, rritja shkon ne 11.5 përqind

22/12/2016 00:00

Instituti i Statistikave raportoi se tregtia me pakicë u rrit me 6.5 për qind në tremujorin e tretë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas INSTAT, nëse përjashtohet tregtia e karburanteve, rritja rezulton edhe më e lartë, rreth 11.5 për qind krahasuar me një vit më parë 

Ky është tremujori i pestë me radhë që aktiviteti tregtar në vend shënon rritje. Tregtia me pakicë është indeksi më i afërt që mat shitjet në ekonomi dhe rrjedhimisht edhe ecurinë e konsumit të popullatës.

Rritja me 6.5 për qind në tremujorin e tretë të vitit, sinjalizon se shpenzimet konsumatore të familjeve kanë vazhduar të zgjerohen duke mbështetur kërkesën agregate dhe rritjen ekonomike.

Të mërkurën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë raportoi se rritja ekonomike është përshpejtuar lehtësisht në gjysmën e dytë të vitit e udhëhequr nga gjallërimi i kërkesës së brendshme.  Sipas tij, forcimi i rritjes ekonomike do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Top Channel