Vetting-u hyn në fuqi, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD-së

22/12/2016 00:00

Me 6 gjyqtarë pro dhe 2 kundër, ligji i Vetting-ut u shpall kushtetues nga Gjykata Kushtetuese në përfundim të një mbledhjeje treorëshe në Dhomën e Këshillimit.

Jo zyrtarisht mësohet se gjyqtarët që votuan pro kalimit të ligjit janë: Bashkim Dedja, Vitore Tusha, Fatmir Hoxha, Vladimir Kristo, Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj.

Dy gjyqtarët Gani Dizdari dhe Besnik Imeraj janë shprehur kundër disa pikave të këtij ligji, i njohur ndryshe si ligji i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.

Ashtu siç Top Channel kishte njoftuar, Gjykata Kushtetuese rrëzoi në këtë mënyrë padinë e opozitës dhe të komunitetit të gjyqtarëve, të cilët që prej muajit tetor insistuan shfuqizimin e tij, një kërkesë që i nxorri ata të humbur në Kushtetuese, pak ditë pasi edhe Komisioni i Venecias e vlerësoi Vetting-un si pozitiv dhe me frymë kushtetuese.

Po çfarë do të ndodhë tashmë?

Ligji i Vetting-ut nis nga zbatimi menjëherë pasi të publikohet në fletoren zyrtare vendimi i zbardhur i Kushtetueses. Ndërkohë, në Tiranë do të mbërrijë misioni ndërkombëtar i monitorimit, i përbërë nga gjyqtarë të huaj me përvoje mbi 15-vjeçare.

Vëzhguesit ndërkombëtarë që do të mbikëqyrin procesin e rivlerësimit të njerëzve të drejtësisë udhëhiqen nga Komisioni Europian. Por të parët që do t’i nënshtrohen rivlerësimit, apo Vetting-ut, me procedurë të përshpejtuar do të jenë anëtarët e Gjykatës së Lartë, prokurori i përgjithshëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, paralelisht presidenti duhet të hpallë thirrjen publike për aplikantët që kanë interes që të jenë pjesë e institucioneve të rivlerësimit. Kushdo që përmbush kriteret ka 15 ditë kohë që të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar.

Pas marrjes së kësaj liste dhe nën vëzhgimin e ndërkombëtarëve, më tej kompetencat i kalojnë Kuvendit, që duhet të ngrejë një komision ad hoc. Ai ka për detyrë t’i kalojë kryetarit të Kuvendit të dhënat përfundimtare që duhet të votojë më pas me 3 të pestat për dy institucionet që do të kalojnë në sitë gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri.

Komisioni i rivleresimit dhe Kolegji i Apelit janë dy institucionet kyçe që do të rivlerësojnë pasuritë dhe figurën e gjyqtarëve, ndërsa aftesitë e tyre profesionale do të këqyren nga Shkolla e Magjistraturës.

Por nga ana tjetër, njekohësisht me nisjen e zbatimit të ligjit, gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve kanë edhe 10 ditë afat për të plotësuar formularët dhe për t’i dorëzuar pranë inspektoriatit për pasuritë e tyrë dhe për pastërtinë e figurës prane DSIK.

Të gjithë ata që nuk i depozitojnë formularët brenda këtij afati nuk do t’i nënshtrohen skanimit të Vetting-ut, siç edhe ata që do të paraqesin gjatë kësaj kohe dorëheqjen pranë presidentit.

Parashikohet që të ketë një numër të konsiderueshëm të njerëzve të drejtësisë të cilët do të dorëzohen para Vetting-ut për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe të kontakteve të tyre të dyshimta.

Top Channel