Nis ndërtimi i këndit të forcës në Liqenin Artificial

22/12/2016 00:00

Në parkun e Liqenit Artificial nis ndërtimi i hapësirës për të apasionuarit pas sportit dhe ushtrimeve fizike.ky është këndi i 12-të që ndërtohet në kryeqytet ku do të vendosen pajisje force për ata që duan të ushtrohen në natyrë.

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ishte i pranishëm në nisjen e punimeve. “Jam shumë entuziast që fillojmë një kënd të ri, këndin e 12-të, kushtuar kryesisht atyre që merren me sport te Liqeni. Do të jetë një kënd force, me disa module ushtrimore, dhe një hapësirë soditëse fantastike”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj theksoi se synimi është që vitin e ardhshëm të bëhen funksionale edhe parqet e tjera, në mënyrë që Parku i Liqenit të mos jetë i vetmi destinacion për qytetarët e Tiranës, për të kaluar ditët e pushimit apo kohën e lirë.

“Ambicja jonë është që vitin tjetër të zgjerohemi në parqe të tjera, në parkun e Kasharit, në parkun e Vaqarit, në parkun e Farkës, në parkun e Pezës, gjithashut po punojmë shumë edhe në Dajt. Megjithatë, duhet të pranojmë se Parku i Liqenit është epiqendra e të gjithë aktivitetit sportiv”, u shpreh Veliaj.

Në këtë fundvit, kryebashkiaku ka ftuar qytetarët që të bëjnë më shumë jetë aktive dhe të shfrytëzojnë më shumë mundësitë e ofruara nga bashkia nëpërmjet këtyre investimeve.

Top Channel