Plagosja e policit, Tahiri: Ndëshkim maksimal autorit. Basha: Mbështetje policisë

22/12/2016 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri reagon pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në Kurbin, ku mbeti i plagosur një efektiv policie, pasi u qëllua nga një person që tentoi të kryejë një grabitje.

“Nikolin Gjergji u plagos me armë në krye të detyrës, fatmirësisht pa rrezik për jetën. I uroj shërim të shpejtë. Jemi të gjithë me të dhe familjen e tij. Urime kolegëve të tij për arrestimin e autorit. Mori e do marrë atë që meriton, dënimin më të ashpër ligjor”, shkroi në “Facebook” ministri i Brendshëm.

Basha: Mbështetje të plotë policisë

Edhe kryetari i PD, Lulzim Basha ka vizituar në spital efektivin e policisë Nikolin Gjergji, i plagosur sot në krye të detyrës.

Në emër të opozitës, Basha ka shprehur “mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme” për çdo efektiv të Policisë së Shtetit në krye të detyrës.

“Efektivët e Policisë së Shtetit kanë patur, kanë dhe do të kenë gjithmonë mbështetjen dhe përkrahjen time totale dhe atë të Partisë Demokratike”, ka thënë Basha.

Ai ka theksuar se, “beteja me krimin është e rreptë, e ashpër dhe në kushte të pabarabarta tani që krimi ka pushtet politik”.

“Por, bashkë me efektivët e ndershëm të Policisë së Shtetit dhe me gjithë qytetarët e ndershëm shqiptarë, ne do t’ia dalim së pari të presim lidhjet e krimit me politikën dhe së dyti të mposhtim krimin me forcën e hekurt të ligjit”, ka shtuar Basha.

Top Channel