Kinë, shkolla si “sport ekstrem”

22/12/2016 00:00

Hapni fletoret, merrni lapsat dhe vendosni maskën kundërgaz, sepse është koha e provimit në Kinën e mbytur nga smogu.

Disa foto të publikuara “online” kanë shkaktuar zemërim të madh në Kinë, pasi një shkollë vendosi se alarmi i kuq i shpallur për ndotjen në gjysmën e vendit nuk ishte justifikim për të mos zhvilluar provimin. Ky i fundit nuk është bërë as në klasa, por në ambientet e jashtme sportive të shkollës, të mbuluara nga një mjegull e dendur ndotjeje.

Shkolla e mesme numër 1 në kontenë Linqi, në provicën Henan, u kritikua tej mase për faktin se nxori nxënësit 15-vjeçarë në mes të ndotjes, pavarësisht udhëzimeve të autoriteteve të larta shkollore për ndërprerjen e procesit mësimor deri në anulimin e alarmit të kuq.

Prej ditësh, territore të mëdha në Kinë, përfshirë qendra urbane si Pekini, janë në alarm për shkak të ndotjes tronditëse. Autoritetet kanë mbyllur fabrika, uzina, kantiere ndërtimi e rrugë në përpjekje për të përmirësuar situatën. Shkollat gjithashtu janë mbyllur në këto zona për të shmangur probleme tek nxënësit.

Por shkolla rebele numër 1 në Linqi duket se mendonte se arsimimi nuk vjen pa sakrifica, megjithëse ky mentalitet i ka kushtuar postin drejtorit të saj.

Top Channel