Arrestimi i drejtorit të burgut, avokati: Ka prapavijë politike

21/12/2016 00:00

Pas arrestimit të drejtorit të burgut të Durrësit, Astrit Kotja, në lidhje me lirimin e të dënuarit Lulzim Berisha, ka reaguar avokati i tij, i cili e ka folur për një prapavijë politike pas arrestimit.

“Arresti i klientit tim ka prapavijë të qartë politike. Ai është një arrestim i paligjshëm pasi nuk është detyra e tij funksionale, sipas ligjit dhe rregullores së brendshme të institucionit, të ndjekë dinamikën e vuajtjes së dënimit të të burgosurve”, ka deklaruar avokati Ahmet Cani.

Përfaqësuesi ligjor i drejtorit të shkarkuar ka nënvizuar se, një ditë më parë klienti i tij ishte paraqitur në Prokurorinë e Durrësit, ku kishte dhënë të gjitha shpjegimet për prokurorët.

Ai ka theksuar se, Prokuroria e Durrësit në mënyrë të fshehtë ka kërkuar pranë gjykatës marrjen e masës me arrest, e cila ndodh, sipas tij, vetëm në rastet kur personi i fshihet drejtësisë, ose nuk mund të gjendet.

“Lulzim Berisha është liruar në mënyrë absurde nga gjykata dhe prokuroria, të cilat kanë pasur detyrën e verifikimit të uljes së viteve të dënimit. Për shkak të prapavijës politike, ato kanë mbuluar gabimet e tyre duke bërë arrestimin e klientit tim, krejtësisht i pafajshëm”, ka thënë avokati.

Ai ka folur për një “show politik” që po bëhet në dëm të një funksionari publik, për t’u shërbyer qarqeve të caktuara.

Top Channel