Fushë-Krujë, arratiset i dyshuari për atentat

21/12/2016 00:00

Një nga të ndaluarit e operacionit “Shënjestra” të policisë së qarkut Durrës është arratisur mbrëmjen e së mërkurës, duke kapërcyer murin rrethues të godinës policore.

Edison Pula, 21-vjeç, duke përfituar nga pakujdesia e dy punonjësve të policisë që e shoqëronin ka kapërcyer murin, në momentin e transferimit nga stacioni i policisë së Fushë-Krujës në komisariatin e Krujës.

Pula i dyshuar për disa vepra penale përfshirë atë të shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, u ndalua të mërkurën në kuadër të operacionit “Shënjestra”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë dy shtetas, u ndaluan 7 të tjerë dhe u shpall në kërkim një tjetër, të gjithë të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që vepronte në territorin e bashkisë Krujë.

Pula dyshohet se në bashkëpunim me dy të tjerë ka tentuar të vrasin me eksploziv në shtator të këtij viti shtetasin Gentian Bejtja, i dyshuar nga policia si autor i vjedhjes së automjetit, së bashku me Enver Stafukën, të automjetit që u përdor në vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.

Forca të shumta policie kanë rrethuar dhe po kontrollojnë të gjithë zonën përreth për kapjen e të arratisurit, ndërkohë që Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat po verifikon rrethanat dhe shkeljen e rregullave të Shërbimit nga efektivat policorë të angazhuar në shoqërimin e Pulës.

Top Channel