Dom Ernest Troshani u drejtohet deputetëve

21/12/2016 00:00

Përpara se punimet të futen në rrjedhën e zakonshme të këtyre javëve, atë të akuzave dhe kundërakuzave të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës, në seancën e kësaj të enjteje në Parlament do të flasë një i ftuar i pazakontë.

Kardinali i Shqipërisë, Dom Ernest Troshani do të mbajë një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë ditën e nesërme në orën 11:00. 

Dom Ernest Troshani u shpall Kardinal në muajin tetor nga Papa Françesku, dy vite pasi dëgjoi rrëfimin prekës dhe i puthi duart në Shqipëri meshtarit që i mbijetoi regjimit komunist.

Në moshën 88-vjeçare, dom Ernesti bëhet kardinali i dytë nga Shqipëria, pas Mikel Koliqit të emëruar nga Papa Gjon Pali i dytë.

Ky është një titull nderi, pasi për shkak të moshës, Simoni (Troshani) nuk mund të marrë pjesë në konklava. Por me emërimin e tij kardinal nderi, Vatikani vlerëson edhe njëherë sakrificat dhe martirizimin e klerit katolik në Shqipëri.

Vet Simoni (Troshani) i ka mbijetuar kalvarit të gjatë të mundimeve që nisën Krishtlindjen e vitit 1963, dhe pas 28 vitesh burgu, torturash e persekutimit, vazhdoi misionin e tij të shenjtë në demokraci, me pajtimin e gjaqeve në veri të vendit, duke shërbyer në Dioqezën Shkodër-Pult.

Ky është një nderim dhe mirënjohje, që Papa Françesku i bën Shqipërisë, përpara shpalljes së Lumturimit të 38 martirëve shqiptarë, që do të bëhet më 5 nëntor të këtij viti në Shkodër.

Top Channel