Festat e fundvitit sëmurin kafshët shtëpiake

21/12/2016 00:00

Festat janë më pranë se kurrë! Thuajse të gjithë kanë zbukuruar shtëpinë, dhomat, kuzhinën etj, etj. Por ajo që jo të gjithë e dinë është se kush ka kafshë shtëpiake duhet të bëjë shumë kujdes! Mjekët veterinerë kanë ngritur shqetësimin për miqtë me katër këmbë.

Në klinikat veterinare gjatë muajit Dhjetor, janë shtuar ndjeshëm klientët që çojnë qenin apo macen si pasojë e ndonjë aksidenti të ndodhur, që ka si shkak pikërisht zbukurimet, por edhe ushqimet që konsumojnë këtë periudhë…

Kujdes me ushqimet e festave!
Askush nga ne nuk mund të thotë se nuk i ka dhënë diçka qenit apo maces nga tavolina e Krishtlindjeve apo festës së Vitit të Ri. Për mos të thënë që është mëse e natyrshme për shumë familje në Shqipëri, që t’i japin ushqimet që ngelen nga tavolina e bollshme. Disa prej ushqimeve nuk janë të dëmshme, por ka shumë të tjera që dëmtojnë sistemin tretës. Dieta ushqimore që mund të jetë normale për ne, nuk është për qenin apo macen tonë…
Ëmbëlsirat janë shumë të preferuara nga njerëzit por janë të dëmshme për kafshët shtëpiake. Në fakt përbërësi më i rrezikshëm që përmbajnë çokollatat është Teobrominë. Teobrominë është komponenti që gjendet tek çokollata dhe është toksik për kafshët. Kafeina është gjithashtu e pranishme dhe është toksike gjithashtu, por gjendet në sasi shumë më të vogël se teobromina tek çokollata.

Ëmbëlsirat përmbajnë Xylitol që shkakton një rritje te insulinës në trup tek qentë. Brenda 30 minuta pasi qeni e ka ngrënë, mund të vjellë, të jetë përgjumësh, i lodhur ose të bëjë lëvizje të pakoordinuara. Disa shenja të toksicitetit mund të shtyhen në disa orë, apo edhe për disa ditë. Toksiciteti i shkaktuar nga Xylitoli tek qentë mund të jetë fatal nëse nuk trajtohet.

Shiritat e ndritshëm të zbukurimit
Qofshin këto shirita rreth pemës, rreth mobilieve, apo në pjesë të ndryshme të shtëpisë, këto shirita janë si një magnet për kafshët shtëpiake, veçanërisht për kotelet dhe macet e reja. Ndërsa përpjekja e maceve për t’i kapur, duke luajtur me to (prekur, gjuajtur me putër) nuk është e rrezikshme, kafshimi dhe gëlltitja e tyre është tepër e rrezikshme për shëndetin e maces.

Kabllot elektrike të dritave
Këto drita që fiken dhe ndizen janë një lojë e preferuar nga macja, por gjithashtu dhe këlyshët kryesisht në moshë të re (këlysh) që janë duke ndërruar dhëmbët dhe që përpiqen të kafshojnë çfarëdo që mundin (nuk ndryshojnë shumë nga bebet kur u dalin dhëmbët e qumështit). Nëse qeni apo macja juaj, do të kafshojë këto kabllo rreziku mund të jetë që nga ekstremi, gjendje shoku, apo dhe më e lehta me djegie të mukozave të gojës, gjuhës, apo buzëve.

Top Channel