Familja e gjymtuar, 65-vjeçarja ushqen katër vetë

21/12/2016 00:00

Të tre fëmijët e familjes Vrekaj në Memaliaj,  Gjergji 44 vjeç, Elona  36 dhe Altini 25 nuk janë të aftë për punë. Ata jetojnë me prindërit dhe mbështeten me asistencë për aftësi të kufizuar mendore. Edhe babai Mersini vuan pasojat enjë aksidenti në punë. I vetmi person që po përballon barrën e familjes me shumë probleme është nëna e tyre, Vitoria 65 vjeç.

“Unë marr 4 mijë lekë. Burri merr 117 mijë lekë dhe më asgjë tjetër”, thotë Vitori Vrekaj.

Ajo thotë se kërkon ndihmë sidomos për djalin e saj më të ri Altinin, situata e të cilit është përkeqësuar. Altini ka marre trajtim në spitalin psikiatrik në Vlorë, për disa muaj por situata e tij nuk është e qëndrueshme. Ai pëson kriza të shpeshta epilepsie dhe nëna e tij e shoqëron gjithnjë me vështirësi në spital për të qepur plagët e marra nga goditjet.

“I vogli u bë më keq! Nuk më ka ndihmuar njeri. Kam kërkuar ta çoj në Tiranë”, rrëfen 65-vjeçarja.

Vitoria nuk merr pension kujdestarie megjithëse që prej lindjes së fëmijëve ka qenë kujdestarja e vetme. Zyra e Përkrahjes Sociale në Bashki ka kryer verifikime për gjendjen e familjes dhe vlerësimi konfirmon gjendjen kritike dhe nevojën për kujdestar.

Banorët në lagjen e varfër të minatorëve ku banon familja Vrekaj në Memaliaj thonë se situata e tyre ka ardhur duke u rënduar me vitet ndërsa tani sipas fqinjëve, Vitoria gjendet në një situate që nuk e përballon  dot më e vetme.

Top Channel