Skuadra që tmerron kundërshtarët

21/12/2016 00:00

Një skuadër e frikshme dhe kur themi e frikshme në kuptimin e plotë të fjalës. Nga 13 ndeshjet e këtij sezoni, përballë ka patur vetëm një kundërshtar, ndërsa në 12 rastet e tjera, rivalët nuk janë paraqitur dhe për këtë kanë patur një arsye të fortë.

Skuadra Canelas është vendosur në qendër të vëmendjes në mediat sportive portugeze javët e fundit dhe komplet për një arsye të gabuar.

E formuar në vitin 2010 nga tifozët ultras të Portos, kjo skuadër luan në kategorinë e katërt të futbollit portugez. Por fjala amatore nuk pranohet nga lojtarët-ultras, që në fushë më shumë sesa topin, godasin kundërshtarët dhe kur ua do puna edhe gjyqtarët dhe forcat e sigurisë.

Megjithatë, sot Canelas, të paktën deri në këtë fazë të sezonit e ka të sigurtë ngjitjen në një kategori më lart. Ajo ka marrë 36 pikë në 12 ndeshjet e fundit me një golavarazh 108 me 0. Por nga 108 golat që i janë shënuar në renditje, asnjëri prej tyre nuk është shënuar në fushën e lojës. Canelas ka marrë 12 herë radhazi në tavolinë fitoren 3-0.

Sikur të mos mjaftonte humbja, të 12-të kundërshtarët e saj edhe janë gjobitur me 750 euro për mosparaqitje, një zgjedhje e bërë me dëshirë duke preferuar gjobën dhe humbjen në tavolinë sesa mbushjen e infermierisë me lojtarë të dëmtuar si pasojë e agresivitetit të Canelasit.

“Fitojnë falë ndërhyrjeve agresive dhe flagrante ndaj 20-vjeçarëve e kërcënimeve ndaj kundërshtarëve, arbitrave dhe vetë forcave të sigurisë”, do të ankohej një drejtues i një skuadre amatore, që refuzoi të dërgojë ekipin e tij në sfidën me ultrasit e Portos.

Top Channel