UEFA mbetet stoike, s’ka ligë ballkanike në futboll

21/12/2016 00:00

As vizita e presidentit të UEFA-s në Zagreb nuk e shtoi përkrahjen për idenë e krijimit të një lige ballkanike në futboll, e sponsorizuar fuqimisht nga Serbia por me kundërshtinë e shumë vendeve të ish-Jugosllavisë.

Turneu rajonal që supozohej se do të përplaste më të mirat e Ballkanit nuk është përkrahur nga ana e qeverisë së futbollit kontinental.

Jugoliga, siç ishte pagëzuar nga mediat me seli në Beograd, kishte në plan sipas ideatorëve, të përfshinte ekipe të Kroacisë, Sllovenisë, Malit të Zi, Bosnjes, Serbisë, Maqedonisë, Hungarisë. Në planin rajonal nuk përfshiheshin ekipe nga Shqipëria dhe Kosova, edhe pse de fakto nuk kishte asnjë interesim për t’u angazhuar as nga FSHF dhe as nga FFK.

Shtëpia e futbollit europian, në një letër zyrtare, mohoi se ishte arritur ndonjë marrëveshje për themelimin e ligës. “Të gjitha raportimet rreth krijimit të një lige të Ballkanit nën kujdesin tonë janë të pavërteta. UEFA nuk ka miratuar ndonjë vendim për organizimin e evenimenteve të tilla”, shkruan në letrën e UEFA-s drejtuar mediave kroate.

Më parë, presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin kishte thënë se disa zyrtarë lokalë kishin përkrahur iniciativën por kjo kishte mbetur vetëm në fazën e krijimit. Mediat kroate nënvizojnë se arsye për refuzimin nga UEFA, janë konfliktet e mbartura mes vendeve të rajonit dhe tensionet që dalin shpeshherë në sipërfaqe, sidomos në ndeshjet e futbollit.

Në mendjet e tifozëve ende nuk janë larguar trazirat e ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë dy vjet më parë, ndërsa përplasje dhe kore raciste ka patur në thuajse çdo ndeshje të Crvena Zvezdës së Beogradit.

Top Channel