Shkollat e reja në Tirane, projekti për 17 ndërtesa

21/12/2016 00:00

Bashkia e Tiranës zbuloi se taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore, do të përdoret për të financuar një partneritet publik-privat për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet.

“Është llogaritur që kostoja totale e investimit për të gjithë projektin shkollor, po flasim për 17 shkollat përfshirë mobilimin dhe terrenet sportive, është llogaritur në 6.2 miliardë lekë”, shprehet Enkelejd Musabelliu, drejtor i çështjeve ekonomike në bashki.

Por si do të funksionojë ky partneritet, përmes të cilit bashkia thotë se do t’i japë zgjidhje mbipopullimit të klasave dhe mësimit me dy turne në kryeqytet?

“Partnerët privat i ndërtojnë infrastrukturën arsimore me fondet e veta dhe në momentin e dorëzimit të shkollës pranë bashkisë së Tiranës, ju paguhet një këst i parë i shumës totale të investuar dhe pastaj shlyhet vit pas viti këstet e radhës për një periudhë 7-vjeçare dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë ka një zgjatje 7-vjeçare”, thotë Musabelliu.

Taksa e arsimit u vendos për herë të parë këtë vit dhe deri tani bashkia ka mbledhur 360 milionë lekë të ardhura.

“Me paratë e mbledhura këtë vit do të financohet shpronësimi i shkollave të reja, domethënë terreneve ku do të ndërtohen shkollat”.

Taksa e arsimit është 1800 lekë në vit për çdo familje, ndërsa për biznesin ajo varion nga 18 mijë deri në 30 mijë lekë.

Top Channel