Rruga e dëmtuar Mat-Rrëshen, 40 kilometra me rrëshqitje të tokës

21/12/2016 00:00

Aksi rrugor nacional Mat-Rrëshen me një  gjatësi 40 kilometra është dëmtuar nga rrëshqitjet e tokës, si dhe kalimi i makinave të tonazhit të rëndë, që kryesisht transportojnë krom nga Bulqiza në drejtim të portit të Durrësit.

Ndërtimi i këtij aksi u bë me një financim të Fondit për Zhvillim më 2012-ën. Por, ende pa mbushur tre vjet kjo rruge filloi të dëmtohet. Përgjatë saj ka shumë gropa në rrugë, plasaritje të asfaltit dhe bllokime të kanaleve anësore.

Sipas banorëve që nga ndërtimi, kjo rrugë nuk ka patur asnjëherë mirëmbajtje.

“Kjo rrugë nuk ka tabanin e duhur për kamionët e mëdhenj që kalojnë këtu. Në shumë vende ka pasur shkarje dhe ndoshta do formë të tjera struktura pune. Kemi njoftuar disa herë institucionet përkatëse, por të gjithë na thonë se nuk kanë gjë në dorë”, shprehet një prej banorëve.

Drejtuesit e automjeteve shprehen se dëmtimi i kësaj rruge ka çuar në amortizim të makinave dhe se është një burim aksidentesh.

“Është e dëmtuar në disa pjesë, ndërsa në disa të tjera po kryhen punime. Përbën shumë rrezik, pasi rruga është shumë e keqe, si për gomat, amortizimi, për të gjithë”, thotë një drejtues automjeti.

Kjo rrugë rrezikohet shpesh edhe nga  ngricat.

Top Channel