Sulmi në Zvicër, në kërkim ganezi që qëlloi me armë

21/12/2016 00:00

Policia është ende në vazhdën e hetimit mbi të shtënat në një qendër islamike në Zurich, e disa prej myslimanëve që jetojnë në Zvicër kanë nisur që tani të shqetësohen për sigurinë e tyre në këtë vend.

Të dhënat e para policore e identifikojnë agresorin si një 24-vjeçar zviceran me origjinë nga Gana. Që i vogël ai vidhte biçikleta, e të premten kishte vendosur të linte punën në një dyqan. Të dielën, përpara se të hapte zjarr brenda qendrës në fjalë, ai dyshohet të ketë vrarë një emigrant.

Deri tani, megjithatë, forcat e rendit nuk kanë arritur ta zbardhin qartësisht arsyen e këtyre lëvizjeve, e për më tepër nuk gjejnë as ndonjë lidhje mes agresorit dhe radikalizmit islamik. Episode të tilla janë tmerrësisht të rralla në Zvicër, ndaj tronditja e njerëzve atje, e shoqëruar dhe me një befasi të thellë, është e kuptueshme.

Disa prej emigrantëve që i njohin 3 të plagosurit janë trembur nga ngjarja.

“Në atë moment kisha orën e lutjes. Kemi disa xhami dhe unë lëviza. Kur shkova te vendi tjetër, njerëzit kërkuan të mbylleshin dritaret. Çdo gjë mbyllet, sepse njerëzit kanë frike se mos hasin probleme”, tha Ali, një emigrant somalez.

Jusufi, një emigrant egjiptjan që jeton në Zvicër prej tri dekadash, thotë se episodi i së hënës i ka lëkundur tërësisht ndjenjën e sigurisë që i ofronte ky vend.

“Kam më shumë se 30 vite këtu. Situatat tani po rëndohen njësoj si në Siri, në Irak, Jemen, Libi, Egjipt, e tashmë edhe në Europë. Nuk ndihesh më i sigurtë asgjëkundi”, tha emigranti egjiptjan.

Top Channel