Veliaj: Ambicia e bashkisë, përmirësimi i infrastrukturës

21/12/2016 00:00

Rruga Maknnor- Kolje- Ledhë në Pezë shumë shpejt do të ketë të njëjtat standarde me rrugët e tjera të kryeqytetit. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka inspektuar punimet e rrugës ku tha se ambicia e bashkisë është përmirësimi i plotë i infrastrukturës në tre lagjet kryesore të zonës.

“Për disa është fundi i vitit, për Bashkinë e Tiranës çdo ditë është një fillim i ri dhe një mundësi për të bërë disa gjëra për së mbari. Ambicja jonë është të transformojmë infrastrukturën në tre lagjet kryesore të Pezës, në Maknor, në Ledhë dhe në Kolje, si dhe projektin ta mbyllim jo për 6 muaj sa është projekti, por për 3 muaj, duke u siguruar që pranvera të na gjejë të sistemuar, me rrugë të reja, kanalizime, ndriçim e sinjalistikë”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se këto investime vijnë si rrjedhojë e mirëmenaxhimit të financave, ndërsa u shpreh optimist se ndërhyrjet do të ndikojnë jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së jetesës për banorët, por edhe në rritjen e vlerës së pronës.

“Disa investime do të ishin të pamundura me të ardhurat e komunës, kurse sot bëhet i mundur falë një menaxhimi më të mirë të financave të Bashkisë së Tiranës, çka na lejon të investojmë në disa zona, të cilat më parë cilësoheshin si periferike. Kjo është një njësi administrative e varfër, por shpresoj që infrastruktura e re do të tërheqë biznese, do i shtojë vlerën pronës këtu, do tërheqë njerëz në një zonë shumë herë më të urbanizuar, me ajër të pastër, me produkte vendi, siç është zona e Pezës”, tha ai, teksa kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për realizimin e projekteve.

Kreu i bashkisë u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të konsumojnë produktet cilësore të zonës, duke ndikuar pozitivisht edhe në ekonominë vendase.

Top Channel