NBA, shkëlqejnë skuadrat e mëdha

21/12/2016 00:00

Cleveland Cavaliers nuk ndalet në NBA. Skuadra nga Ohajo mposhti Milwaukee Bucks 114-108, duke e çuar bilancin në këtë sezon të rregullt në 20 fitore dhe 6 humbje.

Ishte një përballje e vështirë kjo për Cleveland, pasi arriti ta mbyllë atë në favor vetëm pas kohës shtesë. Ishte i zakonshmi LeBron James ai që mori përsipër të drejtojë Cavaliers drejt suksesit, duke e përfunduar këtë sfidë me 34 pikë, 12 topa në tabelë dhe 7 assist.

Dha një kontribut të rëndësishëm në këtë përballje edhe Kyrie Irving, me 28 pikë përsonale të shënuara.

San Antonio Spurs ndali serinë e fitoreve të Houston Rockets. Skuadra e Spurs arriti të bëjë të sajën derbin teksan me rezultatin 102-100. Fati i sfidës u vendos në 12 sekondat e fundit të ndeshjes, kur Mills shënoi për Spurs një 3-pikësh, ndërkohë që në krahun tjetër James Harden gaboi në tentativën e tij për t’i dhënë suksesin skuadrës së Rockets.

Golden State Warriors nuk u lodh shumë në ndeshjen me Utah Jazz, të cilën e mposhti 104-74, duke regjistruar fitoren e 25 në sezonin e rregullt. Perioda e dytë ishte praktikisht perfekte për Golden State, që krijoi një diferencë prej 18 pikësh,  avantazh të cilin e thelloi akoma më shumë pas pushimit të sfidës. Stephen Curry me 25 pikë dhe Draymond Green me 11 topa në tabelë ishin ata që spikatën për skuadrën e Golden State, që qëndron në krye të Konferencës së Perëndimit.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Charlotte Hornets fitoi ndaj Los Angeles Lakers 117-115, ndërsa LA Clippers iu imponua Denver Nuggets në “Staples Center” 119-102. Ndeshja më e “çmendur” e mbrëmjes ishte derbi i Floridës, mes Orlando Magic dhe Miami Heat. Ishte një sfidë që u mbyll pas 2 kohëve shtesë dhe e fituar doli skuadra e Magic me rezultatin 136-130.

Top Channel