SHBA, presidenti në largim Obama ndalon shpimet për naftë në Arktik

21/12/2016 00:00

Presidenti Barack Obama ka urdhëruar ndalimin e shpimeve për naftë dhe gaz në ujërat amerikane të oqeanit Atlantik dhe Arktik.

Lëvizja shikohet si një përpjekje e presidentit në largim për të lënë një shenjë në mbrojtje të ambientit, para se Donald Trump të  marrë detyrën, edhe pse disa kompani energjetike kanë kërkuar të nisin shpimet sa më shpejt në këto zona.

Shpimet eksploruese në Arktik janë të shtrenjta dhe gjithashtu të rrezikshme. Kanadaja ka lajmëruar po ashtu plane të ngjashme për ujërat e saj në Arktik, në një angazhim të përbashkët me Uashingtonin.

Obama u bazua te një ligj i vitit 1950, që lejon presidentët të kufizojnë zonat e gërmimeve për minerale apo shpimeve. Ai citoi studimet, sipas të cilave rreziku i shpimeve për naftë në rajon është domethënës dhe mundësia për ta evituar atë është e kufizuar.

Pasojat e incidentit me anijen çisternë “Exxon Valdez” në vitin 1989, ndihen në Alaskë ende edhe sot. Presidenti i zgjedhur Donald Trump kishte deklaruar se do të zgjeronte zonën e eksplorimit për naftë dhe gaz, duke premtuar se do të përfitonte nga rezervat ekzistuese amerikane.

Ai tani e ka të vështirë të kthejë mbrapsht vendimin e marrë nga Obama, pa përfunduar në gjykatë. Donald Trump ka shtuar ndërkohë frikën e ambientalistëve me zgjedhjet e tij për rolet më të larta në Shtëpinë e Bardhë. Rex Tillerson, shefi i kompanisë së naftës “Exxon Mobile”, është zgjedhur Sekretar Shteti. Rick Perry, që më herët ka apeluar për rregulla më të zbutura të industrisë së naftës, do të jetë Sekretar për Energjinë.

Top Channel