Arrestime për sulmin ndaj mikut të Enver Stafukës

21/12/2016 00:00

Dy persona janë arrestuar, shtatë të tjerë janë ndaluar dhe një është shpallur në kërkim si pjesë të një grupi me aktivitet kriminal në fushën e krimeve kundër personit, pronës, prodhimit, shitjes dhe trafikimit të narkotikëve. Mes tyre edhe një punonjës i burgut të Zaharisë.

Të gjithë dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vrasin me eksploziv Edmond Bejtën, në fshatin Larushk të Krujës, në datën 19 shtator.

Hetimet kanë nisur që më 19 shtator nga prokuroria e Krujës, pasi grupi i 10 personave ushtronte aktivitetin në zonën e Fushë Krujës dhe Niklës.

Në pranga kanë rënë Klaudio Ismalaja, 22 vjeç dhe Arbër Rryci 38 vjeç. Policia ka ndaluar Edison Pula, 21 vjeç, Edison Bami, 26 vjeç, Ilir Caca, 45 vjeç, punonjës i burgut të Zaharisë në Krujë Marklen Haka, 25 vjeç, Muharrem Sheta, 25 vjeç, Fadjol Anamali, 30 vjeç dhe Arjan Ademi, 36 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur O. C, 22 vjeç.

Sipas burimeve zyrtare O. C dhe Edison Pula kanë ndihmuar Edison Bamin që më 19 shtator ka tentuar të vrasë me eksploziv një shtetas. Lëndën shpërthyese ata e kanë vendosur në mjetin tip Touareg që drejtohej nga G. B, dhe aktivizimin e saj e kanë bërë në lëvizje nëpërmjet celularit. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Nikel-Fushë -Krujë dhe drejtuesi i mjetit ngeli i plagosur.

Ndërsa Arjan Ademi agjent i një kompanie celulare dhe Fadjol Anamali pronar i një dyqani në Shkodër kanë shitur numrat e celularëve këtij grupi kriminal të bazuar në dokumente të falsifikuar dhe në emra të tjerë.

Më 7 nëntor, Edison Pula, O.C, Marklen Haka dhe Klaudio Ismalaja në bashkëpunim me njëri -tjterin dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur 2 mjete ne aksin rrugor Krujë-Fushë Krujë, një autoveturë tip Benz Mercedes dhe një mjet tip furgon.

Ndërsa më 19 dhjetor O.C, Klaudio Ismalaja, Muharrem Sheta dhe Arber Rryci, në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë transportuar një sasi prej 110 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva nga Tepelena në drejtim të Krujës.

Në aksin rrugor Kavajë –Durrës këta pesona kanë tentuar ti shmangen postbllokut të policisë duke dalë në rrugën dytësore, në afërsi të vendit të quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.

Policia është vënë në ndjekje dhe ka arritur të bllokojë sasinë e lëndës narkotike, mjetin tip Mercedes Benz ML, që transportonte lëndën narkotike dhe drejtohej nga O.C, mjetin shoqërues tip Benz, që drejtohej nga Klodian Ismalaj duke bërë dhe arrestimin në flagrancë të këtij të fundit. O.C ka mundur të largohet duke perfituar nga errësira. Gjithashtu u arrestua në flagrancë dhe shtetasi Arber Rryci dhe u ndalua shtetasi M.Sheta.

Gjithsej në këtë operacion janë sekuestruar 4 makina luksoze, Arbër Rrycit i është sekuestruar një sasi kartmonedhash prej 11.400 eurosh dhe 95 mijë lekë të reja, ndërsa Marklen Hakës i janë sekuestruar kartmonedha në dollarë, euro, franga, paund britanik dhe 60 mijë lekë të reja. Gjithashtu edhye 20 celularë.

Të dhjetë personat janë të dyshuar dhe për një sërë veprash të tjera të rënda penale, kryesisht grabitje nën kërcënimin e armëve ,krime kundër personit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, të cilat nga Policia dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë janë në fazën e dokumentimit ligjor për këta shtetas dhe persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me ta.

Top Channel