Sulmi në Berlin, ISIS merr përsipër përgjegjësinë

20/12/2016 00:00

Grupi i të ashtuquajturit Shtet Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit me kamion të së hënës në tregun e Krishtlindjes në Berlin, ku mbetën të vdekur 12 persona dhe të plagosur 49 të tjerë. Xhihadistët njoftuan autorësinë përmes agjencisë së tyre të lajmeve “Amaq”.

Më herët, prokurorët gjermanë lanë të lirë të dyshuarin e vetëm që mbahej i arrestuar, duke cituar si argument mungesën e provave. Ai është identifikuar nga mediet gjermane si Naved B., një 23-vjeçar nga Pakistani. Tashmë autoritetet janë vënë në kërkim të autorit të ngjarjes, i cili mund të jetë në arrati.

Përpara se pakistanezi të lirohej pasditen e kësaj të marte, zyrtarët gjermanë thanë se nuk mund ta thonin me siguri nëse ai ishte përfshirë në sulm. “Kemi arritur në përfundimin se i ndaluari mund të mos jetë autor i sulmit”, tha prokurori federal Peter Frank, i cili shtoi se stili i sulmit dhe objektivi i zgjedhur ngjasonin me sulmet e mëparshme të ndërmarra nga ekstremistët islamikë.

23-vjeçari pakistanez ishte kapur në një park, teksa përpiqej t’i largohej vendngjarjes. Ai besohet se ka qenë i njohur në radhët e policisë për shkelje të vogla penale, por nuk ka pasur kurrë lidhje me organizatat e militantëve islamikë. Ai ka mbërritur në Gjermani më 31 dhjetor të vitit të kaluar dhe ka aplikuar për azil, një proces që është ende në vjiim.

Shoferi i vërtetë i kamionit, polaku Lukasz Urban u gjet i vdekur në vendin e pasagjerit në kamion, e sipas raportimeve me plagë nga arma e zjarrit dhe nga thika në trupin e tij. Megjithatë, arma e krimit nuk është gjendur ende.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka premtuar se do t’i ndëshkojë përgjegjësit e sulmit “aq fort sa e lejon ligji”. Politika e saj e dyerve të hapura për refugjatët, që solli rreth 890 mijë azilkërkues në Gjermani gjatë vitit të kaluar, ka përçarë vendin, me kritikët që thonë se përbëjnë një rrezik për sigurinë.

Top Channel