Zgjerohet amnistia, rritet numri i përfituesve. Përjashtohen politikanët

20/12/2016 00:00

Parlamenti pritet të ndryshojë pothuajse të gjithë ligjin e amnistisë të paraqitur nga qeveria, duke zgjeruar kategoritë përfituese.

Deputetët Pirro Lutaj dhe Ulsi Manja ishin propozues të nismës që rrit numrin e atyre që do të dalin nga burgu.

“Amnistohen të dënuarit me vendim të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet, nga 2 në 3, ose çdo lloj dënimi më të butë, përfshirë gjobën”, deklaroi Manja.

Nimsa u kundërshtua nga ministri Ylli Manjani, sipas të cilit amnistia ishte konceptuar për kundravjatjet penale dhe jo për krimet.

“Dy vjet e një ditë është sërish krim, nuk është kundravajtje. Nëse ideja është të amnistojmë krimin, kjo është krejtësisht përgjegjësi e Parlamentit. Vlerësojeni vetë”, tha Manjani.

Mazhoranca nuk ia arriti të marrë konsensusin e opozitës, edhe pse pranoi dy prej propozimeve të saj për të mos amnistuar kultivuesit e drogës dhe shit-blerjen e votës.

Mazhoranca pranoi të heqë nga teksti final edhe amnistinë për personat e sëmurë, por opozita ishte kundër faljes së dënimit të mbetur me 2 vjet për grate dhe 1 për burrat, pavarësisht veprave penale të kryera prej tyre.

“Nëse je dënuar për trafik ndërkombëtar droge dhe të ka mbetur 1 ditë pa bërë burg, do ta bësh kokërr më kokërr. Këtë e thotë Parlamenti”, tha deputeti i PD, Eduard Halimi.

“Ne nuk e kemi për herë të parë këtë gjë, e kemi bërë edhe në amnistitë e kaluara. Që ju kemi hequr nga një vit kush ka qenë në vitin e fundit”, replikoi deputeti i PS, Fatmir Xhafaj.

“Amnistia e vitit 2012 u bë me përjashtim të atyre veprave për të cilat është parashikuar kriteri ndalues”, insistoi Halimi në qëndrimin e tij.

Mazhoranca nuk pranoi që amnistia të mos përfshijë disa vepra që Halimi citoi si shekelje të qarkullimit rrugor, zjarrvënie të pyjeve, kanosja dhe palgosja me dashje.

Dy të fundit janë vepra për të cilat akuzohet deputeti Armando Prenga, por çdo dyshim u rrëzua nga një amendament i Petrit Vasilit të LSI-së, i cili ndalon që nga amnistia të përfitojnë funksionarët publikë nën hetim dhe që ndiqen penalisht.

Top Channel