Maqedoni, Administrativja mbështet ankesën e LSDM-së për Bashkinë Tearce

20/12/2016 00:00

Gjykata e Shkupit ka mbështetur një ankimim të bërë nga koalicioni opozitar i kryesuar nga LSDM-ja kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të 18 dhjetorit, duke shpallur si të pavlefshëm procesin e votimit në qendrën e votimit në Bashkinë e Tearces, në zonën e gjashtë zgjedhore.

Vendimi i Gjykatës Administrative të Shkupit, i publikuar edhe në faqen e saj të internetit, është arritur pas shqyrtimit nga një panel prej 5 gjykatësish.

Ky vendim është i kundërt me atë të KSHZ-së, që kishte vendosur dy ditë më parë se ankesa e LSDM-së mbi parregullsi në votim në qendrën e votimit të sipërpërmendur ishte e pabazuar në fakte.

Vendimi i Administratives është arritur me shumicën e votave të panelit dhe nuk mund të apelohet. Ndërkohë, po kjo gjykatë pritet të marrë vendim edhe mbi dy ankesa të tjera të dorëzuara nga LSDM-ja kundër vendimeve të KSHZ-së, brenda ditës së sotme.

Më herët, Gjykata Administrative e Shkupit përfundoi diskutimet mbi 3 ankesat e fundit ndaj vendimeve të KSHZ-së, mbi akuzat për parregullsi në votime gjatë zgjedhjeve të 11 dhjetorit, dy të dorëzuara nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja dhe një nga VMRO-DPMNE-ja.

Mbrëmjen e së hënës, Administrativja përfundoi edhe diskutimet mbi dy ankesa të LSDM-së. Afati përfundimtar mbi çështjet e shqyrtuara sot skadon pasditen e së mërkurës, 24 orë pas diskutimeve. Edhe këto vendime do të jenë përfundimtare dhe të paapelueshme.

Top Channel