Jordani, përplasje e armatosur me 5 viktima, 4 prej të cilëve policë

20/12/2016 00:00

Të paktën 4 policë dhe një i dyshuar kanë mbetur të vrarë pas përplasjes së armatosur në periferitë e qytetit Karak, në jug të Jordanisë, pasi forcat e sigurisë mësynë një apartament.

Dy prej të dyshuarve u arrestuan pas betejës së zhvilluar këtë të martë në fshatin Wesya, një përplasje që erdhi vetëm pak pasi grupi i të ashtuquajturit Shtet Islamik mori përgjegjësinë për sulmet e së dielës në një destinacion turistik të populluar të Karakut.

Burimet kanë thënë për “Al Jazeera”-n se të dyshuarit ishin pjesë e listës së të kërkuarve, por që nuk kanë pasur lidhje me agresorët e përfshirë në sulmin ndaj kështjellës së Karakut. Zhvillimet e së martës në Wesya janë pasqyruar edhe në një video të publikuar nëpër rrjetet sociale.

Shkëmbimi i zjarrit ndodhi vetëm pak orë pasi ISIS njoftoi se “4 ushtarë të kalifatit” të armatosur me automatikë dhe granata dore kryen sulmin e së dielës në kështjellën e epokës së Kryqëzatave, ku mbetën 10 persona të vdekur.

“Ne u premtojmë vendeve të koalicionit të Kryqëzatave diçka më të keqe dhe më të rëndë, nëse Zoti na lejon”, thuhet në deklaratën e ISIS-it, duke iu referuar vendeve të koalicionit kundër Shtetit Islamik të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarë të Jordanisë refuzuan të identifikonin agresorët, duke u mjaftuar t’i quanin ata “terroristë të jashtëligjshëm”. Burimet e sigurisë thanë se të gjithë ata ishin shtetas jordanezë. 7 oficerë sigurie, dy kalimtarë të rastit dhe një turist kanadez mbetën të vdekur në sulmet që lanë gjithashtu edhe 34 të plagosur.

Salamah Hamad, ministri i Brendshëm i Jordanisë, tha të hënën se të paktën 5 breza kamikazësh u gjetën, së bashku me një sasi municionesh, armë automatike dhe eksplozivë, në një vend të fshehtë të një shtëpie në qytetin e braktisur të Qatranahut, 30 km në verilindje të Karakut.

Top Channel