Çeki, tenistja bie prè e një tentative grabitjeje. Dëmtohet në dorën e majtë

20/12/2016 00:00

Dy herë kampione e “Wimbledon”-it, Petra Kvitova është shprehur se “është me fat që ka mbetur gjallë” pas sulmit me thikë të kryer ndaj saj me rrezikshmëri të lartë për karrierën si teniste, ngjarje e ndodhur në shtëpinë e saj gjatë kësaj të marte.

Kvitova, 26 vjeç, ka marrë ndihmën mjekësore për prerje të rënda në të gjitha gishtat e dorës së saj të majtë, e preferuara e saj në tenis pasi është mëngjerashe. Incidenti, i përshkruar si një tentativë vjedhjeje, ndodhi në Prostejov të Republikës Çeke.

“Jam e tronditur, – tha Kvitova, duke shtuar se – dëmtimet janë të rënda dhe do të më duhet të konsultohem me specialistët”. Publicisti i saj, Karel Tejkal tha se “ngjarja ishte një krim i zakonshëm” dhe se “askush nuk u përpoq ta sulmonte apo grabiste atë si të ishte Petra Kvitova”.

Tenistja çeke renditet në vendin e 11 në botë dhe ka fituar gjatë karrierës së saj plot 19 tituj, përfshi këtu edhe triumfet “Grand Slam” në Wimbledon të Britanisë së Madhe në vitet 2011 dhe 2014.

Nga sa bëhet e ditur, ajo ka lejuar agresorin të hyjë në apartamentin e saj pasi i ishte paraqitur si një nëpunës shërbimesh, e teksa është përpjekur të mbrohej nga sulmi me thikë ka pësuar dëmtime të rënda në dorën e saj. Agresori besohet të jetë larguar menjëherë pas ngjarjes dhe është shpallur në kërkim nga policia.

Kvitova ka pësuar dëmtime në ligamentet dhe tendinat e dorës së saj të majtë, por shkalla e vërtetë e dëmtimeve nuk mund të bëhet e ditur deri pas operacionit që do të zhvillohet pasditen e sotme.

Top Channel