“Kamikazi” azilkërkues, Merkel: Na duhet të supozojmë për një sulm terrorist

20/12/2016 00:00

Pas ministrit të Brendshëm De Maiziere, edhe vet Angela Merkel e pranoi se episodi tragjik i Berlinit është me shumë gjasë një akt terrorist.

Personat përgjegjës për ngjarjen që tronditi Gjermaninë, e që pati jehonë të menjëhershme në mbarë botën, do të ndëshkohen sipas kancelares gjermane me “fuqinë e plotë të ligjit”. Sipas saj, situata do të ishte edhe më e dhimbshme nëse rezulton se agresorit, që besohet të ketë hyrë në vend nga fundi i 2015-s ose në fillim të këtij viti, i është dhënë e drejta e azilit.

“E di që do të ishte edhe më e vështirë për t’u duruar, nëse do të konfirmohej se personi që kreu këtë akt është përfitues i mbrojtjes dhe azilit në vendin tonë. Gjermania është sot e bashkuar në vajtimin e jetëve të humbura. Na duhet të supozojmë se bëhet fjalë për një sulm terrorist”, tha Merkel.

Ngjarja e rëndë e së hënës mund të sjellë telashe të mëdha politike për Merkelin e vënë prej kohësh në shënjestër të kritikave për politikën e saj të dyerve të hapura.

Ligjvënësi euroskeptik gjerman, Marcus Pretzell shkroi menjëherë në “Twitter” se faji për sulmin duhet kërkuar te bujaria e treguar prej qeverisë me emigrantët. “Këta janë të vdekurit e Merkelit”, ishte komenti i Pretzell.

Por televizioni gjerman “N-TV”, duke cituar burime sigurie që nuk duan të bëhen publik, thotë se 23-vjeçari nga Pakistani, Naved B., i arrestuar në lidhje me incidentin mohon të ketë gisht në sulmin që mori 12 jetë njerëzish e plagosi 48 të tjerë. Edhe policia tani nuk është e bindur.

Kamionit të mbushur me 25 tonë çelik, agresori i ka fikur dritat përpara se ta përplaste me tezgat e tregut që gëlonte nga njerëzit. Ai vet është larguar në këmbë, me shpresën të shfrytëzonte errësirën e të fshihej në parkun e madh publik “Tirgarden”, por një dëshmitar okular e ndoqi nga pas për rreth 2 km dhe lajmëroi policinë për vendndodhjen e tij.

Shtetasi polak, i gjetur i pajetë brenda në kamion, besohet të jetë shoferi i vërtetë, të cilin refugjati mund ta ketë ekzekutuar për t’i marrë mjetin. Kushëriri tij, njëkohësisht pronar i firmës së kamionëve, këmbëngul se i vrari nuk ka gisht në ngjarje.

Kamioni ishte i regjistruar në Poloni, e sipas disa raporteve, po kthehej nga Italia. Shtëpia e Bardhë shprehu ngushëllimet e saj për viktimat e sulmit, që risolli në mendje tragjedinë e Nicës, ndërsa “INTERPOL”-i pretendon se i riu pakistanez ishte radikalizuar nga ISIS-i në një kamp refugjatësh, pas mbërritjes në Gjermani ku mendohet të ketë hyrë me një emër të rremë.

Top Channel