Retorika negative në Maqedoni, e theksuar ndjeshëm pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, ka shqetësuar Brukselin.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç u drejtoi një apel aktorëve politikë të vendit që të veprojnë me përgjegjshmëri të lartë në mënyrë që popullit t’i rikthehet besimi tek institucionet dhe proceset demokratike.

Ajo theksoi në mënyrë të veçantë se nuk duhet ushtruar presion mbi Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe gjyqësorin, në mënyrë që të lihen të qetë në punën e tyre me ankesat ndaj procesit zgjedhor.

Të shtunën ish-kryeminisrti Nikolla Gruevski, njëkohësisht kryetar i partisë VMRO-DPMNE, iu drejtua qindra protestuesve të mbledhur përpara selisë së KSHZ-se duke thënë se, disa ambasadorë po përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë.

Gruevski e akuzoi si komisionin, ashtu dhe disa OJQ e partitë opozitare se po përpiqen t’ia rrëmbejnë fitoren partisë së tij.

“Zëri i Amerikës” thotë ndërkohë se ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shkup, Jess Baily pati të hënën takime të ndara me drejtuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe atë të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev.

Ambasada amerikane atje nuk dha detaje mbi brendinë e bisedimeve, por Baily pati njoftuar të shtunën pas një takimi me Gruevskin se do të takonte edhe drejtuesit e partive të tjera të cilat kishin fituar mandate në zgjedhje.

Si zaev, ashtu edhe Ahmeti e kanë dënuar retorikën fyese të Gruevskit ndaj diplomatëve perëndimorë.

Top Channel