Familja e madhe e Top Channel dhe DigitAlb festuan ditëlindjen e 15 të televizionit më të madh në vend dhe ditëlindjen e 12 të platformës dixhitale. Një histori e mbushur me punë, histori që mban në vete fuqinë për ta bërë ëndrrën realitet.

15 vite nuk është një gur kilometrik në rrugëtimin e suksesshëm të Top Channel, por është një rrugëtim jetësor i çdonjërit që është pjesë e tij dhe miliona të tjerëve që janë ndikuar nga koha që ka prodhuar Top Channel.

Familja e madhe festoi këtë ditëlindje të 15 dhe së bashku me të edhe 12 vjetorin e Digitalb.

“Është 15 vjetori i Top Channel dhe ta mendosh 15 vjet janë shumë, por janë edhe pak. Janë shumë për nga mënyra se si kalohen, por janë pak nga puna, nga vrulli i të gjithë njerëzve që kanë punuar dhe kontribuar për këtë televizion. Faleminderit nga më i vogli deri tek më i madhi. E them nga më i vogli sepse pashë disa postime në Instagram që thonin: “Kur u hap Top Channel në 2001-shin ishin nga 15-16 vjeç, sot janë bërë prindër, janë bërë prindër, janë bërë burra, gra”. Unë do të doja që kaq shumë ta jetonim Top Channel, ta gëzonim, sa të gëzonim edhe gjyshen e gjyshin, ashtu siç gëzoj edhe unë sot që jam gjyshe”, u shpreh Vjollca Hoxha, Presidente e “Top Media”.

Kjo është një histori e mrekullueshme jete. Kjo është historia jonë, është historia juaj dhe kjo histori mban në vete fuqinë për ta bërë ëndrrën realitet.

“Dua të falënderoj stafet për të gjitha programet, duke qenë se këtë vit kanë qenë të riformatuara, skena kanë qenë të ribëra. Ashtu siç i takon Top Channel të pasqyrojë emisionet e tij. Faleminderit, gëzuar Top Channel, gëzuar DigitAlb, Gëzuar të gjithëve dhe ju uroj një vit 2017 sa më të qetë e më të begatë”, tha më tej Presidentja e “Top Media”, Vjollca Hoxha.

Nga këtu është lëshuar zëri i çdo njeriu të thjeshtë. Është parë në thellësinë e objektivit varfëria, vuajtja; është luftuar krimi dhe korrupsioni, është çelur buzëqeshja e njerëzve.

Është folur me zërin e nënës, të burrit e fëmijës, i është kënduar dashurisë dhe dhimbjes. Këtu jeta ka marrë jetë, e njeriu është vlerësuar mbi të gjitha.

Është jetësuar emocioni i çdo sekonde të ditës, ndarë me copëza jete të gjithsecilit, që i japin jetë planetit, Top Channel.

Top Channel