Dekriminalizimi, ikin Shkëlqim Selami, Dashamir Tahiri, Elvis Roshi

20/12/2016 00:00

Dy deputetë nga kampet politike të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, si edhe kryebashkiaku socialist për Kavajën, Elvis Roshi shpallen zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme si persona që iu ndalohet e drejta të ushtrojnë funksione publike në bazë të ligjit të dekriminalizimit.

Pas kontrolleve mbi vërtetësinë e formularëve të vetëdeklarimit të tyre, prokuroria ia ka përcjellë rezultatet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që pritet të mblidhet për t’ju ndërprerë atyre mandatin në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, thënë ndryshe “ligji për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkaq, deputetët Tahiri e Selami dhe kryebashkiaku Roshi deklarohen nën hetim penal për falsifikim të formularëve. Por çfarë ka fshehur nga e kaluara e tij deputeti Dashamir Tahiri?

“Në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foxhia për krime lidhur me falsifikimin e parave. Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena për të vuajtur 9 muaj burgim për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar. Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia. Tahiri ka dhënë shpjegimet e tij në Sektorin e “Dekriminalizimit”, duke deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të dënimit me burgim në Ravena. Ndërsa, lidhur me procedimin për “falsifikim parash”, ka deklaruar se bëhet fjalë për një episod në autostradë, kur ai është mashtruar nga një kamarier lokali, i cili i ka dhënë para fallse”, deklaroi Fjoralba Ballauri, shefe e kabinetit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Kryebashkiaku Elvis Roshi, i cili ka një masë detyrimi paraqitjeje nga Gjykata e Lartë, ka fshehur në formular 5 episode. “Një dënim për veprën penale të “përdhunimit në grup”, në vitin 1995 në Itali. Ndërsa në vitin 2015, DEA ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonte një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash”, saktësoi Ballauri në deklaratën për shtyp.

Ndërsa deputeti Shkëlqim Selami nuk ka treguar të vërtetën për një masë arresti me burg. “Nxjerrë ndaj tij nga ana e Gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “trafikim të qënieve njerëzore””, saktësoi shefja e kabinetit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjatë ditës deputeti Selami u pyet nga prokurorët për shkak se ai mohon të ketë patur probleme me drejtësinë. “Në vitet 94. 95, 96, 97 veja dhjetë herë në muaj në Itali sepse bëja biznes. Të isha i dënuar dhe të veja në Itali, kjo është… Janë gjëra falso. Nuk do të merresha me politikë nëse do të kisha bërë një gjë të tillë”, deklaroi Selami për mediat.

Aktualisht Prokuroria e Përgjithshme, me kërkesë të KQZ-së po verifikon edhe zyrtarë të tjerë për të cilët priten përgjigje edhe nga autoritetet e huaja.

Top Channel