FSHF mbyll vitin, Duka: Do të mbahet mend gjatë

20/12/2016 00:00

2016 nuk mund të ishte një vit më i mirë për Federatën Shqiptare të Futbollit që shënoi arritjen më të madhe në histori me kualifikimin në Europian. Kjo dhe shumë të tjera ishin pjesë e vlerësimeve të FSHF në një ceremoni të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, ku ishin të pranishëm shumë protagonistë të së kaluarës dhe aktorë të futbollit aktual.

“Ky ishte një vit i jashtëzakonshëm për futbollin shqiptar. Brenda tij me një intensitet maksimal ndodhën ngjarje që do të mbahen mend gjatë. Por ngjarja më e madhe historike dhe e paharrueshme që nxiti krenarinë kombëtare të të gjithë shqiptarëve ishte pjesëmarrja në finalet e Europianit 2016. Për fat të keq, individë apo grupime, që gjithsesi mbeten në minorancë, pavarësisht sukseseve të këtij viti tentuan dhe vazhdojnë të tentojnë të përbaltin sukseset e lojës tonë të dashur”, deklaroi në fjalën e rastit Presidenti i FSHF-së, Agron Duka.

U vlerësuan Kombëtarja Shqiptare e Futbollit dhe shumë emra të tjerë për arritjet e tyre. Mirel Josa mori në duar një kontribut për titujt me Skënderbeun, ndërsa pati nga ata si si sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku, që nuk ia besonin trofeun e tyre as duarve të presidentit Duka.

“Dekorimet e sotme dhe të mëparshmet të të gjithëve, padyshim që do t’i shkojnë ekipit kombëtar për performancën e shkëlqyer dhe atë çka ne kemi ëndërruar ndër vite e bëri realitet, ky ekip kombëtar nën drejtimin e kësaj federate”, u shpreh në fjalën e rastit Ilir Shulku, Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së.

Çmimi i fundit i kësaj mbrëmje gala ishte ai i “Topit të Artë” të Kategorisë Superiore, trofe që iu dorëzua sulmuesit shkodran, Hamdi Salihi.

Top Channel