Hollivudi nis festimet me Grinchmas

20/12/2016 00:00

Universal Studios në Hollivud hyri në frymën e festave me një kremtim të veçantë, një park të ri lojërash të quajtur “Grinchmas”, i cili e merr emrin nga një figurë legjendare në Amerikë, Grinch-i.

Ky personazh për herë të parë u shfaq në historinë e Krishtlindjeve të 1957-tës : “Si i vodhi Grinchi Krishtlindjet”. Në rrëfenjë tregohej sesi figura e urryer i sjell fundin Kërshëndellave me vjedhjen e dhuratave nga shtëpitë e fshatit Whoville.

Por duke qënë se banorët e tij vazhduan t’i festojnë Krishtlindjet, atëherë Grinçi i ktheu dhuratat e për këtë, iu rezervua vendi i nderit në tryezën festive. Që prej atëherë, personazhi që i urrente festat është kthyer në ikonë të tyre.
“Të gjitha festimet, çdo gjë që shikoni këtu është për mua. Edhe për Krishtlindjet patjetër, edhe të ftuarit sigurisht, por kryesori jam unë. Po mbledhim zbukurimet, po dëgjojmë histori të lidhen me këtë moment e po ndriçojmë pemën, ku edhe unë kam detyrën kryesore”, thotë personazhi i Grinçit.

Vizitorët po kënaqen mjaft jo vetëm duke parë, por edhe duke kënduar e kërcyer poshte pemës 18 metra të lartë e duke luajtur me aktorët e veshur si personazhe të filmit.

Grinchi është një pjesë shumë e rëndësishme e kulturës amerikane të Krishtlindjeve. Nuk kishte sesi të mos vinim për ta parë”, thotë një vizitor.

Parku do të qëndrojë i hapur për vizitorët deri në janar.

Top Channel