Grabitja e bankës, foto e të dyshuarit si bashkëpunëtor

20/12/2016 00:00

Policia duket se ka arritur të zbulojë foton e një prej bashkëpunëtorëve të grabitësve që sulmuan degën e një banke të nivelit të dytë një ditë më parë në kryqezimin “21 Dhjetori” në Tiranë.

Në foto personi, i cili duket se është duke folur ne telefon, ndodhet pak metra larg hyrjes së bankës i pamaskuar.

Publikimin policia e ka bërë për të marrë informacion në lidhje me identitetin e personit të dyshuar. Ai është zgjedhur nga filmimet e sigurisë dhe sipas hetimit dyshohet se ka patur si rol çorientimin e shërbimeve të sigurisë duke hyrë në vendin ku ndodhej automati. Pas çorientimit të sigurisë në bankë hynë grabitësit me maska.

Banka u grabit nga dy persona që u panë teksa largohen me një motoçikletë përmes rrugicave të zonës. Policia ngriti menjëherë disa postblloqe, por nuk mundi t’i ndalonte autorët.

Të maskuar me shall dhe kapele dhe me pistoleta në duar, dy autorët kanë hyrë në bankë vetëm 25 minuta pasi ajo ishte hapur. Pasi kanë goditur dhe kërcënuar punonjësin e sigurisë së bankës, ata kanë marrë nga kasa një sasi parash, që sipas informacioneve nuk e kalon shifrën e 300 mijë lekëvë.

E gjithë grabitja ka ndodhur në harkun kohor të 3 minutave, ndërsa njëri nga autorët ka harruar armën brenda mjediseve të bankës.

FOTO GALERI
1/1
Foto e njerit prej te dyshuarve si grabites te bankes

Top Channel