Kërcënimi nga asteroidët? Jemi totalisht të papërgatitur

20/12/2016 00:00

Ka ndodhur njëherë dhe mund të ndodhë sërish e ne nuk mund të bëjmë asgjë për t’i mbijetuar. Shkencëtarët e NASA-s kanë arritur në përfundimin se njerëzimi është i papërgatitur dhe i tillë do të jetë edhe për disa dekada, në rast të goditjes së Tokës nga asteroidët.

Alarmi është lëshuar nga Joseph Nuth, astronom i Agjencisë Hapësinore Amerikane në takimin  e Unionit Gjeofizik Amerikan javën e shkuar.

“Jemi totalisht të pambrojtur dhe në mëshirë të fatit nëse goditemi nga asteroidë të përmasave të atyre që besohet se kanë shfarosur dinosaurët nga sipërfaqja e Tokës”, deklaron Nuth.

Kjo goditje besohet se ka ndodhur 50 deri në 60 milionë vite më parë dhe pikërisht kjo distancë kohore e rrit edhe më tej rrezikun që planeti ynë të goditet sërish.

Joseph Nuth thotë se sinjalet janë dërguar tashmë. Ai përmend këtu kometën që ‘qethi’ planetin tonë në vitin 1996 dhe një asteroid në 2014. Në rastin e dytë ishim me fat.

“Në 2014 asteroidi kaloi në distancën Tokë-Mars. Duket larg, por nëse do të ishim të pafat dhe ai të ishte në trajektore përplasjeje me ne, nuk do të mund të bënim asgjë”, thotë Nuth.

Në komunitetin e shkencëtarëve besohet gjerësisht se dinosaurët u zhdukën rreth 66 milionë vite më parë pas goditjes së Tokës nga një asteroid me gjerësi 10 kilometra, vendi i përplasjes së tij mendohet se është Gjiri i Meksikës së sotme.

Top Channel